Arrestohet Baki Sadiku, i kërkuar nga Interpoli
Në bazë të urdhëresës së Interpolit, policia e Gjilanit me kërkesë edhe të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit DPP Prishtinë, është arrestuar personi i dyshuar B. S. (shtetas i Serbisë), pasi që për të njëjtin ekzistonte një fletë-arrest ndërkombëtarë i lëshuar nga INTERPOL-i.Merret vesh se bëhet fjalë për arrestimin e Baki Sadikut, 65-vjeç, nga Rahovica e Preshevës, i cili akuzohet për trafik droge në Sllovaki dhe ka qenë në kërkim qe një kohë të gjatë nga Interpoli.
Ismet Hashani, zëdhënës i policisë në Gjilan, tha për rajonipress se pas arrestimit i dyshuari është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe është lëshuar aktvendimi mbi ndalimin e tij.
Gjithashtu për arrestimin e këtij personi është njoftuar edhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit- DPP Prishtinë, tha Hashani. /Telegrafi/