Arrestohet kosovari me identitet të rremë
Në Aeroportin e Rinasit është arrestuar shtetasi kosovar Xhavit Makolli, i cili akuzohet për identitet të rremë. Shtetasi kosovar është arrestuar mëngjesin e sotëm në Rinas, menjëherë pas deportimit të tij nga Zvicra, ku identifikohej me emrin e rremë Artan Hasanpapaj. Autoritetet zvicerane kanë bërë deportimin e tij, nën këtë identitet, por ndërkohë gjatë verifikimeve të policisë ka rezultuar se bëhet fjalë për shtetasin kosovar Xhavit Makolli, ndërsa identiteti me të cilin u vu në pranga në Zvicër rezulton i rremë, raporton BalkanËeb.
Burime të komisariatit të policisë në Rinas bëjnë të ditur se dyshohet që shtetasi kosovar të ketë blerë identitetin tjetër nga shtetasi Artan Hasanpapaj, me origjinë nga Tropoja.
Dyshohet që kosovari ka ofruar një shumë të konsiderueshme parash, kundrejt blerjes së pasaportës biometrike me të cilën ka udhëtuar drejt Zvicrës.
Pas arrestimit të tij në Rinas dhe marrjes në pyetje kanë nisur edhe hetimet në lidhje me personin që mund t'i ketë shitur atij pasaportën biometrike. /Telegrafi/