Arrestohet një serb, dyshohet për shpërthimin e mbrëmshëm

10:33 / 5.02.2013

Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një person me inicialet S.S (1973), i përkatësisë etnike serbe, i dyshuar për shpërthimin e mbrëmshëm, ku u lënduan dy fëmijë. I dyshuari, i cili konsiderohet si bashkëbanues dhe jeton së bashku me familjen e tij në katin e parë të shtëpisë së njëjtë në të cilën ka ndodhur shpërthimi nuk qëndronin në marrëdhënie të mira fqinjësore me familjen tjetër banuese.

Policia në kumtesën për media sqaron se pas rastit të shpërthimit, janë bastisur dy shtëpi, ndërsa një i dyshuar i përkatësisë etnike serbe është ndaluar në lokalet policore.

“Një person, S.S. (1973), i përkatësisë etnike serbe, është ndaluar në lokalet policore për mbajtje, pas veprimeve hetimore të hetuesve rajonal për krime të rënda në Mitrovicë, në rastin e shpërthimit. I dyshuari, i cili konsiderohet si bashkëbanues dhe jeton së bashku me familjen e tij në katin e parë të shtëpisë së njëjtë në të cilën ka ndodhur shpërthimi, është arrestuar nga policia e Kosovës, pas bastisjes së realizuar nën autorizimet përkatëse të prokurorit”, thuhet në komunikatë.

Hetuesit policor kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, pasi kishin informata inteligjente se dy familjet banuese në shtëpinë dy katëshe, nuk qëndronin në marrëdhënie të mira fqinjësore.

Hetuesit policor, gjatë realizimit të kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit të arrestuar kanë identifikuar dhe sekuestruar: një granatë dore, tip M-75 prodhim jugosllav, dy lugë të granatave të dorës, dy karikator të armës automatike me 50 fishek, të kalibrit 7.62 mm, një palë lidhëse (pranga) policore dhe një diktafon.

Bastisja është zgjeruar edhe në shtëpinë e familjes në të cilën ka ndodhur shpërthimi, ndërsa policia ka identifikuar dhe sekuestruar një armë automatike “AK-47” së bashku me dy karikatorë me 54 fishek.

Hetuesit policor të skuadrës rajonale për krime të rënda në Mitrovicë, kanë zgjeruar hetimet e tyre lidhur me të gjeturat pas bastisjeve të realizuara.

Në bazë të vlerësimeve të bëra me konstatim të ekspertëve për identifikim të mjeteve eksploduese, mjeti eksplodues i cili ka shpërthyer në shtëpinë e familjes Vuqetiq, konsiderohet të jetë një granatë dore, tip “M-75” prodhim jugosllav.

Ndaj të dyshuarit të arrestuar, me autorizim të prokurorit të shtetit, është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, për vazhdim të procedurave të mëtejme hetimore.

Ndryshe, të hënën rreth orës 18:45 min është regjistruar një shpërthim në rrugën “Bore Stankovic”, përkatësisht në lagjen e boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, ku si pasojë janë lënduar dy fëmijë. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.