Arrestohet pedofili
Fillimisht ishte treguar human. E kishte marrë me veturën e tij për ta dërguar nga shkolla në shtëpi. Por, mbrapa “ humanitetit” të tij fshihej krejt diçka tjetër. Qëllimet e këtij transportuesi dolën të jenë tejet mizore.Veç një shoferi të thjeshtë, i cili e ndihmoi një fëmijë 11 vjeçar rreth lehtësimit të mundësive për të mos shkuar këmbë për në shtëpi, ky njëri i moshës 35 vjeçare doli të jetë edhe një pedofil, që nisi ta prekë fëmijën në organet gjenitale.
E gjitha kjo ngjarje raportohet të ketë ndodhur në një fshat të Skenderajt.
“Një i dyshuar, 35 vjeçar, banor i një fshati të komunës së Skenderajt, është arrestuar nga policia mbi bazë të dyshimit të arsyeshëm të përfshirjes së tij në së paku një rast të sulmit dhe ngacmimit seksual ndaj një të mituri”, thuhet në raportin e ditës së premte të lëshuar nga Policia e Mitrovicës, raporton “Express”.
Përveç vendit dhe veprës për të cilën ky njëri dyshohet se e ka kryer, në raportin e policisë nuk bëhet publike asgjë tjetër. As emri i tij e as ai i viktimës. Kjo për shkak të ndjeshmërisë së këtij rasti.
“Informatat lidhur me lokacionin, vendin e incidentit, identitetin e personave të përfshirë në rast nuk janë bërë të ditura për shkak të rruajtjes së identitetit të viktimës dhe vetë ndjeshmërisë së rastit”, thuhet më tej në këtë raport.
Shkas për t’u marrë vesh ky akt i mjerë i një njeriu në moshë ishte familja e djaloshit, i cili e pësoi. Ishte babai i djaloshit ai që e raportoi këtë pedofil në polici menjëherë pasi djali i vogël i rrëfeu tmerrin që ka përjetuar në makinë, derisa po kthehej nga shkolla për në shtëpi.
“I dyshuari është arrestuar pas regjistrimit të rastit të iniciuar nga familjarët e viktimës, të cilët kishin njoftuar policinë për veprime të dyshimta, përkatësisht ngacmim seksual ndaj fëmijës së tyre”, sqaron raporti.
“Në bazë të deklaratës së siguruar nga viktima, thuhet se i njëjti ishte ngacmuar seksualisht në veturën e të dyshuarit, i cili paraprakisht i kishte ofruar shërbim të transportit nga shkolla deri në shtëpinë e tij, në një fshat të Skenderajt”.
E pavarësisht moshës së mitur, djaloshi i vogël kishte vërejtur se jo gjithçka ishte në rregull me burrin, cili gjatë vozitjes e ndali makinën dhe nisi ta prekë atë drejt organeve gjenitale.
“Besohet se viktima ka arritur që t’i shmanget sulmuesit të tij, pasi i dyshuari kishte ndaluar veturën në një lokacion rural, ndërsa viktima ka arritur të ikë nga vetura duke u arratisur në një zonë malore”, thotë raporti i policisë.
Pasi policia ka marrë gjithë rrëfimin nga viktima, në këtë rast nga i mituri i cili raportohet të jetë vetëm 11 vjeç, pedofili tashmë i arrestuar me vendim të prokurorit publik të qarkut është ndaluar në lokalet policore për mbajtje. Hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e mëtejme të përcaktuara me procedurën penale.
“Në bazë të hetimeve preliminare, besohet se ka elemente të mjaftueshme të përcaktimit të veprës penale dhe zhvillim të hetimeve të mëtejme të rastit të “ngacmimit dhe sulmit seksual”, vlerësohet në raportin e policisë sipas të cilit hetuesit policorë besojnë se i dyshuari i arrestuar mund të jetë një recidivist i veprave të panatyrshme dhe sulmeve seksuale ndaj të miturve.
Ky del të mos jetë rasti i parë i pedofilisë që është raportuar të ketë ndodhur në komunën e Skenderajt. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe para disa muajsh në këtë qytet, kur një punonjës i Ujësjellësit Rajonal kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur, derisa po kryente detyrën e inkasantit.
Ndonëse komuna e Skenderajt njihet si njëra nga më të qetat në Kosovë, gjatë këtij viti kanë ndodhur tri raste të abuzimit seksual me të mitur, ku viktimë në të tri rastet kanë qenë vajzat, njëra prej të cilave ka qenë vetëm 11 vjeçe, duke mos u përfshirë edhe rasti i fundit që i ka ndodhur djaloshit që po kthehej nga shkolla.
Qendra e Gruas “Prehja” i ka përcjellë nga afër këto ngjarje si dhe reagimin e institucioneve përkatëse, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, Njësia për të Drejtat e Fëmijëve, Policia dhe organet e drejtësisë.
Megjithatë Ajneshahe Halimi, drejtoreshë e “Prehja”, thotë se përveç Qendrës për Punë Sociale, qendra që ajo udhëheq nuk ka marrë shumë mbështetje nga organet e tjera.
“Policia e Kosovës nga stacioni në Skenderaj, pavarësisht se ofron bashkëpunim të mirë, kemi vërejtur se në rastet e tilla që ndodhin ka vonesa në informim dhe ofrim të të dhënave rreth tyre. Kjo përjetohet si tentim i minimizimit apo mbajtjes larg opinionit rastet e ndodhura”, thotë Halimi për Express.
E hiç më mirë, sipas saj, nuk është as angazhimi i organeve të drejtësisë, përkatësisht gjykatave.
Ajo thotë se qendra që ajo udhëheq nuk kërkon asgjë tjetër nga institucionet, pos që të jenë më vigjilente dhe më efikase në reagimet e tyre ndaj këtyre rasteve.
“Pavarësisht se ende nuk ka shifra të sakta për këtë dukuri, hulumtimet tona tregojnë për rritje të numrit të rasteve, për të cilat, për fatin e tyre të keq, institucionet përkatëse nuk kanë bërë thuajse asgjë”, thotë ajo. /Telegrafi/