Asnjë denar për 100 vjetorin e flamurit shqiptar
Ministria e Kulturës e Maqedonisë nuk do të japë as edhe një denar për manifestimin e 100 vjetorit të flamurit shqiptar. Ndonëse parlamenti në muajin mars miratoi Programin për shënimin e përvjetorëve dhe personaliteteve të rëndësishme për vitin 2012, ku bënte pjesë edhe shënimi me një akademi solemne të 100 vjetorit të flamurit shqiptar nga Instituti për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, Ministria e Kulturës në vendimin e saj të sjellë pak ditë më parë ka refuzuar të mbështesë financiarisht këtë manifestim.Respektivisht në letrën e Ministrisë së Kulturës, drejtuar Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve si arsyetim qëndron: “Për arsye se mjetet buxhetore për realizimin e programit vjetor për zbatimin e interesit kombëtar në kulturë për vitin 2012 janë shpërndarë tani më në bazë të procedurës të parashikuar me ligj, Ju njoftojmë se nuk jemi në gjendje ta mbështesim financiarisht manifestimin e përvjetorit të 100 vjetorit të flamurit shqiptar”.
Çështja e ndarjes së mjeteve për këtë përvjetor edhe më parë pati shkaktuar përplasje në opinion. Drejtori i Institutit për trashëgimi kulturore, Shefqet Zekolli, kishte reaguar rreth informatave që qarkullonin në media në atë kohë se për këtë manifestimin e flamurit ishin ndarë vetëm 5000 euro. Respektivisht ai shprehej se kjo shumë ishte e papërfillshme pasi nuk mbulonte as 10 për qind të aktiviteteve që ka parashikuar ky institucion për festimin e flamurit.
Por tani rezulton se instituti nuk do të marrë asnjë denar për këtë manifestim. Përse nuk mbështetet financimi i tij që duket qartë në vendimin e Ministrisë Kulturës së siguruar nga Alsat dhe kush duhet të mbaje përgjegjësi për mosrespektimin e vendimit të Parlamentit për këtë anashkalim që u bëhet shënimit të datave të rëndësishme për popullin shqiptar, mbetet pa përgjigje. /Telegrafi/