Atentatet në Tiranë, pa asnjë të identifikuar nga policia
Pas dy vrasjeve të ndodhura të enjten e shkuar, të cilat u bënë shkak për shkarkimin e krerëve të Policisë së Tiranës, dy ngjarje të tjera të ndodhura mbrëmjen e të hënës në kryeqytet, janë nën hetim nga Policia e Tiranës, por ende pa një autor.Policia e Tiranës bëri me dije se ka nisur hetimet për ngjarjen e të hënës, kur një sasi eksplozivi ishte vendosur në makinën e Ada Thaçit, që thuhet se është e dashura e Aleksandër Gjocaj, personi i shënjestruar për t’u vrarë të enjten në atentatin e ndodhur tek “Komuna e Parisit”, ku u vra gabimisht 25-vjeçarja, dentologia Megi Jokiçi.
Uniformat blu të kryeqytetit informojnë se nisën procedimin penal, pasi mbrëmë rreth orës 20.30, në Kombinat në afërsi të rrugës “Hamdi Cenoimeri”, është konstatuar se në shasinë e automjetit tip “Benz”, me targa të huaja KCJ 337, në përdorim të shtetases Ada Thaqi, 23 vjeçe, është vendosur një sasi eksplozive.
Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe evakuoi banorët përreth, raporton Noa.
Fatmirësisht, bën me dije policia, ekspertët kriminalistë dhe ekspertët anti-eksploziv bënë të mundur çaktivizimin e lëndës eksplozive.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po punojnë intensivisht për të identifikuar dhe kapur autorët e vendosjes së lëndës eksplozive si dhe motiveve të kësaj ngjarje.
Po mbrëmë në Tiranë, në rrugën “Sami Frashëri”, u plagos 30-vjeçari Hariz Hajredinaj.
Policia bën me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 22.15’, në rrugën “Sami Frashëri”, ku 30-vjeçari Hariz Hajredinaj u qëllua nga një person tjetër me armë zjarri, brenda në automjetin e tij, tip Benz, me targa TR 6343 R, ku mbeti i plagosur.
Sipas policisë, i plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Tiranës dyshon paraprakisht se plagosja ka ndodhur për një konflikt të çastit, ku autori ka mundur të largohet menjëherë nga vendngjarja.
Edhe për këtë rast Strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.2 po punojnë për identifikuar dhe kapur autorët e kësaj plagosjeje.
Lidhur me vrasjet më të fundit dhe aktet kriminale në rritje, Kryetari i opozitës, Edi Rama, akuzoi krerët e Policisë së Shtetit se nën mbrojtjen e kryeministrit kontrollojnë rrugët e kontrabandës në Shqipëri.
Rama tha se rrënjët e këtij kriminalitetit në vend janë tek politika e egër që ka të vetmin qëllim pushtetin vetjak, te plagët e vjetra sociale, varfëria, papunësia e korrupsioni, si dhe tek drejtësia e kalbur dhe e nënshtruar ndaj parasë. /Telegrafi/