Babai falënderon të bijën, që e vrau përdhunuesin e saj
Babai i 18-vjeçares, Nazmie Visha, e cilëson të drejtë veprimin e vajzës së tij, e cila në natën mes të dielës dhe të hënës vrau burrin me të cilin kishte bashkëjetuar për katër vjet. “Falënderoj vajzën për veprimin që ka bërë”, kështu e nis rrëfimin e tij Beqir Visha në një intervistë tv News 24. Ndërsa vetë Nazime Visha ka thënë se e vrau, sepse donte ta rrëmbente sërish.Sipas babit të Nazmijes, ngjarja që ndodhi zbulon të vërtetën e rrëmbimit të parë të vajzës, e cila nuk ka ikur me dëshirë me Fiqiri Muçën, por është detyruar dhe kërcënuar për të deklaruar në polici se kishte ikur vetë nga shtëpia.
“Nuk e fal familjen Muça, nuk ndahemi me kaq. Më kanë edhe 2 gjaqe të tjera për të larë.”- shprehet Beqir Visha.
Safetja, gruaja e xhaxhait të Nazmijes tregon torturat që kishte pësuar vajza “Erdhi këtu të fshihet prej tij, po edhe këtu s`donte ta linte të jetonte. Donte ta trafikonte.”
E ka përdhunuar që prej moshës 14 vjeçe; e ka rrëmbyer dhe mbajtur peng për 11 ditë diku në mes të Tiranës dhe Burrelit; e ka kthyer në shtëpi, por pasi e ka detyruar para punonjësve të policisë të pranojë se ka qenë me të me dëshirën e saj. Ashtu janë kopsitur letrat për rrëmbimin, përdhunimin dhe torturimin e së miturës për ditë me radhë. Autor i kësaj skene monstruoze ishte Fiqiri Muça, 53 vjeç, ndërsa viktimë ishte Nazmije Visha, 18 vjeçe. Vajza ndryshon vendqëndrim. Vendoset në Krrabë, por agresori e ndjek edhe aty. Mbrëmjen e së dielës ai mbërrin me një taksi në qendrën Krrabës, aty ku banon gjyshi dhe dy xhaxhallarët e vajzës. Ka kërkuar ta rrëmbejë sërish me dhunë. Vajza ka marrë një armë kallashnikov dhe është nisur në drejtim të tij.
Dhunuesi i saj ka menduar të shfrytëzojë errësirën e natës dhe është larguar në drejtim të një are djerrë. Fillimisht vajza ka qëlluar në distancë. Më pas është afruar dhe ka lëshuar mbi të gjithë plumbat që kishte arma. Taksisti që shoqëronte dhunuesin është mbajtur aty nga gjyshi, ndërsa policia e ka gjetur vajzën bashkë me armën e krimit në pritje. Policia ka fiksuar mbi dokumente: “Autor i kësaj vrasjeje është Nazmije Visha, 18-vjeçe, ndërsa viktimë është Fiqiri Muça nga Burreli, me banim në Durrës, mik shtëpie me vrasësen e tij, i martuar e baba i pesë fëmijëve, një borxhli që rezulton të jetë i zhytur në borxh në banka dhe persona të tjerë.
Safete Visha, 23-vjeçe dhe është gruaja e xhaxhait të Nazimes. Ajo jeton me mbesën e të shoqit prej fillim qershorit të këtij viti, kohë kur Nazimja “braktisi” familjen e vet të rrinte te gjyshërit e saj në Krrabë. Që prej asaj dite e deri mëngjesin e djeshëm, ata nuk janë ndarë nga njëra-tjetra, ndërsa Safetja duket sikur është edhe çelësi që mban të kyçur gjithë tmerrin e saj prej katër vitesh nën kthetrat e një monstre.
Ajo rrëfen gjithçka me shumë kujdes. Kur bëhet fjalë për implikime të shumta kërkon edhe një fare sigurie e besimi, ndërsa tregon përpikmërisht gjithçka i ka besuar vajza e kunatit të saj, në lidhje me një aventurë që gati-gati duket e pabesueshme. Autori-viktimë kishte të martuar vëllain e tij me motrën e Nazmijes, ndërkohë që të miturën e përdhunonte prej shumë vitesh; e përdhunonte që kur ishte 14-vjeçe. Vajza e vogël fillimisht nga droja dhe frika ka refuzuar të tregojë. Abuzimi i vazhdueshëm është kthyer në makth për vajzën që po rritej, derisa kohëve të fundit ka vendosur edhe të fejohet, vetëm e vetëm të shpëtonte nga kthetrat e burrit që ishte kunat i motrës së saj, disa vite më të madhe. Agresori Muça s`ka reshtur së kërcënuari se do ta vriste vajzën, sidomos pas tentativës së saj për tu fejuar. Por 53-vjeçari, gjatë rrëmbimit dhe mbajtjes peng të Nazmijes, ka mundur të tregojë edhe idenë e tij për ta trafikuar në Kosovë, vend ku me sa duket ishin bërë edhe pazaret për 18-vjeçaren. Plani i dështuar ka fiksuar faktin se burri ishte njeri me shumë borxhe në vlerë monetare dhe duke trafikuar motrën e kunatës në Kosovë, ai siguronte një dorë të mirë parash. S`ia ka arritur. Kthehet pas dy muajsh, sërish për të vënë në jetë planin e trafikimit, por mbi të lëshohen një mori plumbash, ndërsa në mbështetje të versionit real të ngjarjes së rëndë dje kanë dalë edhe familjarët e vajzës, banorët e zonës dhe taksisti që shoqëroi burrin në Krrabë.
“Unë e kam në shtëpi prej dy muajsh, Nazmijen. Më vjen keq për të, pasi ai burrë-monstër e mori në qafë. Kur më ka treguar historinë e saj në lidhje me përdhunimet që i kanë nisur që pa i mbushur ende 14 vjeçe, jam tmerruar. Ajo nuk ka guxuar për vite me radhë t’ia thotë kujt. Që kur e rrëmbeu dhe e mbajti peng, ajo jeton me mua. E di unë se çfarë ka hequr ajo prej tij. Erdhi këtu të fshihet prej tij, po edhe këtu s`donte ta linte të jetonte. Donte ta trafikonte, edhe pse policinë e ka gënjyer se do të martohej me të. Ai ishte krejt i pafytyrë, i pështirë. E di shpirti i saj se ç`ka vuajtur prej atij njeriu”, tregoi gruaja e xhaxhait të Nazmijess, e cila nuk kishte qenë në shtëpi mbrëmjen e krimit.
Vrasja e djeshme ka ribashkuar sërish ekspertët e policisë së Krimeve të Rënda, jo vetëm të Policisë së Tiranës, por edhe të asaj të Shtetit. Gjeografia e krimit të djeshëm ka një shtrirje të habitshme, ndërsa ka edhe një dëshmi të frikshme të nënës së autores. Pohimi publik u bë në fundmajin e këtij viti nga shtrati i spitalit. Ajo kishte pirë helmin kur vajza s`po i kthehej në shtëpi dhe kur e dinin të gjithë se kush ishte rrëmbyesi i saj. Nga Bulqiza, Tirana dhe Durrësi janë një numër komisariatesh që kanë pasur dijeni mbi ekzistencën e krimit që përshkallëzohej përditë, por së fundmi e zgjidhi vetë adoleshentja. Për të hetuar kalvarin e gjatë të përdhunimit, dhunimit dhe kërcënimit të së miturës, tashmë të rritur pak vite më shumë, grupi i hetimit ka marrë ekspertët më të mirë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda.
Rrëmbimi i Nazmije Vishës ka ndodhur më 23 maj të këtij viti. Denoncimi i zhdukjes së saj është kryer të nesërmen nga familjarët e saj, ndërsa dyshimet e familjes binin pikërisht mbi viktimën e djeshme, Fiqiri Muça. Tri ditë më vonë, nëna e saj Mete Visha vetëhelmohet për t’i dhënë fund jetës, pasi nuk mundi të përballonte dot ankthin e zhdukjes së të bijës. Nga spitali, ku ajo qëndroi për disa ditë, lëshoi apelin për strukturat e policisë dhe të hetimit që të merren masa para se vajza të vritej ose të trafikohej.
“Ne e dimë se vajzën na e ka rrëmbyer Fiqiri Muça, pasi e kanë parë fëmijët e mi dhe disa njerëz të fshatit se ai ishte me makinën e kuqe”.
Nga spitali gruaja e mbijetuar tregoi atëherë se ishte pikërisht rrëmbimi i vajzës nga miku i familjes, kunati i vajzës tjetër, që kishte marrë vajzën për qëllime trafikimi. Policia nisi kërkimet bashkë me familjarët, por pas kthimit të vajzës në shtëpi, u konstatua se nga policia e Burrelit ishte përcjellë një shkresë ku konstatohej se Nazmije Visha kishte firmosur se ishte larguar me dëshirën e saj nga shtëpia. Policia e Tiranës pyeti sërish vajzën në lidhje me rrëmbimin dhe mbajtjen peng, por ajo ka refuzuar të ndryshojë qëndrim, duke bërë të mundur kështu të mbyllet çështja dhe personi që e rrëmbeu të jetë i lirë. Kur vajza është kthyer në shtëpi, mësohet se familjarët nuk kanë pranuar ta mbajnë në shtëpi, e për pasojë Nazmija ka shkuar te dy gjyshërit e saj, Dalip dhe Drita Visha. Dy të moshuarit, jetojnë në qendër të fshatit Krrabë bashkë me djalin e vogël të tyre, Besnikun dhe familjen e tij. Familja Visha është vendosur prej shumë vitesh në Krrabë, ndërsa gjithë pronat në fshatin Vilës të Zall-Bastarit, nga është edhe prejardhja e familjes, i gëzon babai i Nazmijes, Beqiri. Familja Visha, vajza e së cilës, mëngjesin e djeshëm u kthye në vrasëse, jo për fajin e saj, kanë edhe tre fëmijë më të rritur së sa Nazmija. Vëllai mësohet se jeton në Greqi, ndërsa njëra nga motrat më të mëdha se viktima e dhunimit monstruoz, është edhe gruaja e vëllait të Fiqiri Muçës. Miqësia mes familjes Visha dhe Muça mësohet se ka disa vite që është konkretizuar, ndërsa prej katër vitesh, Nazmija është dhunuar seksualisht në mënyrë sistematike prej kunatit të motrës, i cili dje u vra po prej saj me një breshëri kallashnikovi.
Nazmije Visha, vetëm 18-vjeçe, ka befasuar policinë, jo vetëm për mënyrën se si është sjellë në vendin e krimit, por edhe kur ka nisur të tregojë historinë e dhimbshme të jetës së saj, para ekspertëve të policisë. Jo vetëm e bindur në aktin e saj prej një njeriu të rritur, por edhe mjaft e vendosur për ta zgjidhur vetë problemin e saj të madh, jo vetëm më jetën e saj, por për të mbrojtur edhe familjen e saj nga një person krejt i papërgjegjshëm. Kështu e përkufizon një prej drejtuesve të grupit të hetimit aktin që kishte ndërmarrë vajza. Dje është dokumentuar nga policia edhe dëshmia rrëqethëse e saj.
“E vrava. S`kisha rrugë tjetër për të shpëtuar veten dhe as familjen time nga ai njeri. U përdhunova dhe u torturova prej katër vitesh nga ai; më rrëmbeu dhe më mbajti në mal për ditë me radhë. Bëri gjithçka donte, por kur mori vesh që po na ndiqte policia, ai vendosi të dorëzohej. Erdhi një moment dhe s`kishim as çfarë të hanim. Tentova dy-tre herë të largohesha, me idenë për të shpëtuar nga kthetrat e tij, por s`ja arrita dot. Tentova edhe të ngjitem në një shtyllë të rrymës elektrike të vetëvritesha, por s`ia arrita dot të ngjitem deri atje. S`kisha fuqi. Isha e rraspakpitur dhe u detyrova t`i bindesha. Pas 10 ditësh mbërritëm në Bulqizë, pasi ishim shumë afër, ose ashtu më dukej mua. Po vendi ishte i gjithë pyll dhe s`kishte asnjë shtëpi, as ndonjë stan gjëkundi. Atje shkuam në polici dhe aty pashë që takuam policë. Fiqiriu iu kërkoi policëve që të shkruhej gjithçka sipas dëshirës së tij. Dha 1 milion lekë dhe ashtu u bë në të vërtet. Unë isha e detyruar të firmosja në një deklaratë që me sa kuptova ishte shkruar se gjithçka ka ndodhur me dëshirën time. Në të vërtetë ashtu më tha edhe përgjatë qëndrimit në mal. Atje mësova edhe se donte të më dërgonte në Kosovë, ndërsa unë duhej të punoja për të”, ka rrëfyera Nazmija.
“Ai ishte një njeri që kishte borxhe të mëdha dhe kishte vendosur të më çonte atje për të prostituar. Madje kam mësuar se kishte një kredi të madhe në bankë dhe mund ta shlyente me paratë që do të nxirrte prej meje. Po meqë u zbuluam nga policia dhe njerëzit e tij nisën ta vinin në dijeni për zhurmën që ishte krijuar ai më kërkoi të kthehesha pak kohë në shtëpi derisa të vinte dhe të më merrte sërish. Vendosa të largohem nga shtëpia e prindërve të mi, sidomos pasi mësova se ime më ishte vetëhelmuar pas zhdukjes sime. Unë nuk iu kisha treguar kurrë për gjërat që ai më kishte bërë se kisha frikë për jetën e motrës sime që e kam të martuar më vëllain e tij, por edhe për jetën e familjes sime. U ktheva në shtëpi dhe menjëherë vendosa të nisem për te gjyshërit e mi në Krrabë. Nisi prapë të më merrte në telefon. Kërcënimet e tij ishin të pa pranueshme. Më thoshte se do të vras të gjithë njerëzit e shtëpisë nëse nuk vjen me mua. Do të marr dhe do të zhduk nga faqja e dheut nëse s`më bindesh. Dhe e dija se do e bënte. E njihja se çfarë ishte dhe se deri ku shkonte mizoria e tij. U detyrova ta vras!”, tha ajo, transmeton “Shekulli” /Telegrafi/