BDI dhe PDSH akuzojnë njëra-tjetrën për përçarje të shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka akuzuar të mërkurën Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), se me politikat e saja po ndjell përçarje midis shqiptarëve në Maqedoni.“Ne, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerësojmë se PDSH vazhdon të implementojë politikën e saj përçarëse të popullit shqiptarë në Maqedoni. Kur ata ishin në pushtet në vitet 1998-2002, edhe atëherë pa legjitimitetin e popullit, bashkë me partnerët e tyre, bënin hartat e ndarjes së Maqedonisë me të cilat mbi 50 % të popullit shqiptarë në Maqedoni do të mbesnin jashtë ‘kufijve të tyre të dëshiruar’. Kur flitej për të drejtat e shqiptarëve bisedonin për ‘këndej dhe andej Grupçinit’”, ka thënë Fatmir Besimi, anëtarë i Kryesisë Qendrore të BDI-së.
Ai ka thënë se të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Maqedoni të organizuara kur PDSH ishte në pushtet, fatkeqësisht përfunduan me incidente brendashqiptare madje dhe me vëllavrasje. “E tani PDSH mundohet në prag të zgjedhjeve lokale të bën edhe një përcarje të radhës duke i ndarë shqiptarët e Maqedonisë në baza lokale. Përkujtojmë këtë subjekt politik se nuk ka ardhmëri për popullin shqiptarë në Maqedoni nëse ai përçahet në çfarëdo baze. Nuk ka ardhmëri nëse edhe shqiptari i fundit nuk i gëzon të drejtat e njëjta si vëllezërit e tij ku do që janë. E kjo ardhmëri e tërë popullit shqiptarë në Maqedoni, nuk ‘shitet’ vetëm për një post të kryetarit të komunës”, deklaroi Besimi.
Menjëherë ka reaguar Partia Demokratike Shqiptare: “Përderisa dita ditës shtohet bindja se PDSH me platformën e saj politike është fituese në zgjedhjet e ardhshme, nga ana tjetër nuk zgjidhen mjete për ta parandaluar këtë fitore jo vetëm të PDSH-së por të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. JO rastësisht ditëve të fundit po përdoret i tërë arsenali shpifës e armiqësor për ta parandaluar këtë fitore të PDSH-së dhe të shqiptarëve”, ka deklaruar zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati, raporton INA.
Sipas tij, për PDSH-në çdo shqiptarë është i rëndësishëm pavarësisht se ku jeton dhe vepron. “E ritheksojmë edhe njëherë, se për PDSH-në çdo shqiptar është i rëndësishëm pa marrë parasysh ku jeton dhe vepron ai. E vërteta është që të këqijat qofshin në rrafshin politik apo ekonomik që ju ndodhin shqiptarëve në Kumanovë, Shkup, Dibër, Strugë, Veles, Resnjë, Manastir, Tetovë apo Gostivar vijnë vetëm në kohën kur BDI-ja është në pushtet. PDSH-ja i siguron të gjithë shqiptarët që kemi forcë, dije dhe kapacitete që t’i përballojmë shpifjet e radhës që vijnë nga BDI-ja dhe argatët e saj”. /Telegrafi/