BDI e PDSH bashkohen për Strugën
Kryetari i Komunës së Strugës do të jetë shqiptar. Kështu kanë deklaruar kandidatët e BDI-së dhe PDSH-së, duke u shprehur të gatshëm jo vetëm të mbështesin, por edhe të bëjnë bashkërisht fushatë me kandidatin që do të kaloj në rrethin e dytë zgjedhor.Dy kandidatët këto komente i bënë në një tribunë të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës me temë: “Me Strugën, për Strugën”, i cili, përfundoi me shtrëngim duarsh nga dy kandidatët për kryetar komune.
Kandidati i Bashkimit Demokratik për integrim, Arben Labënishti, tha se do të mbështes kundër-kandidatin e vet nëse ai do të kalonte në raundin e dytë. Labënishti tha se është i gatshëm që edhe fushatën ta bëjë bashkë me të, që Struga nesër të qeveriset nga Shqiptarët, shkruan Zhurnal.
“Struga është e shqiptarëve, shqiptarët janë shumicë në Strugë, atë na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë... Ai që nesër do të marrë një votë më shumë në raundin e parë, në raundin e dytë bashkërisht ta bëjmë fushatën. Po them të shkojmë fshat më fshat në interes të shqiptarëve, në interes të fitores të kryetarit shqiptar për të menaxhuar Strugën nesër”, deklaroi Arben Labënishti, kandidat i BDI-së për Strugën.
Në tribunën e organizuar para intelektualëve, biznesmenëve dhe studentëve, dy kandidatët prezantuan programin e tyre zgjedhor për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në komunën Strugës.
Ndryshe, gatishmëria e partive shqiptare për të bashkëpunuar në rrethin e dytë zgjedhor vjen pas koalicionit mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për të dalë me një kandidatë të përbashkët në Strugë. /Telegrafi/