Takohen Thaçi dhe Dacici
E plotësuar - Në Bruksel është zhvilluar të premten takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cilësoi të mirë dhe konstruktiv takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë serb, Ivica Dacic.
Në një komunikatë për media që dërgoi zyra për informim e baroneshës Ashton, diplomatja britanike paralajmëroi takimin e radhës me krerët e qeverive të të dyja palëve që, sipas saj, do të ndodhë së shpejti.
“Kam takuar sot në Bruksel kryeministrin, Ivica Dacic dhe kryeministrin, Hashim Thaçi, me qëllim vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja".
"Takimi i sotëm vjen pas takimeve që zhvillova në New York me presidentin Nikolic dhe kryeministrin Thaçi. Pas takimeve të ndara me ta, udhëhoqa një takim të përbashkët në zyrën time, i cili u mbajt në një atmosferë të mirë dhe konstruktive".
"Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, ndërsa të dytë u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti".
"Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve e, duke e bërë këtë, ta sjell Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të zonjës Ashton, transmeton REL.
Takimi i sotëm pason miratimin e një dite më parë të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në të njëjtën ditë, edhe Qeveria në Beograd ka marrë vendim zyrtar të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, pa e njohur "pavarësinë e Kosovës”.
Reagimi i parë për takimin e së premtes erdhi nga Presidenca e Republikës së Kosovës.
Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, ka thënë se "është shumë mirë që janë takuar kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë në nivel të barabartë”.
“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu.
Ai po ashtu e ka cilësuar takimin si “një hap para në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon".
"Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Vllahiu. /Telegrafi/
E plotësuar - Baronesha Catherine Ashton është në një takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë të Serbisë, Ivica Dacic.
Kështu kanë njoftuar për “Zërin” burime nga Brukseli.
Burimi në fjalë ka potencuar se pas takimeve që Ashton ka zhvilluar me dy kryeministrat veç e veç, tani ata janë së bashku duke zhvilluar një takim i cili ende po vazhdon.
Njoftohet gjithashtu se pas takimit, do të lëshohet një komunikatë e shkruar për media. /Telegrafi/