Beçaj: Vendet vakante kanë vështirësuar punën
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj kërkoi nga presidenti të bëjë kujdes me propozimin e gjyqtarëve në këtë gjykatë. Ajo theksoi se emrat e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë duhet të jenë juristë që të mos ndikohen nga presionet politike.Deklarata e Beçajt u bë në komisionin parlamentar të Ligjeve, ku po shqyrtohet pr/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë". Ajo ka theksuar se vendet e mbetura vakant në këtë institucion, kanë krijuar mbingarkesë në shqyrtimin e çështjeve, raporton Noa.
“Kur një anëtari të Gjykatës i mbaron mandati ai duhet zëvendësuar menjëherë. Kjo situatë me vendet vakante, e ka vështirësuar shumë punën. Nëse nuk do të kishte vende vakante, do të ishin gjykuar më tepër çështje", tha ajo.
Projektligji “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, kërkon 84 vota për t`u miratuar dhe parashikon ristrukturimin e këtij organi të drejtësisë.
Në draft parashikohen kritere më të rrepta për përzgjedhjen nga presidenti të Gjyqtarëve të Lartë, si dhe marrjen e pëlqimit paraprak nga Kuvendi para çdo dekretimi. /Telegrafi/