Berisha: Arsimi prioritet
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në Kashar, një shkollë moderne me 350 nxënës e 60 fëmijë parashkollorë, që siç tha kryeministri e bën këtë komunë si një nga qendrat më kryesore të zhvillimit të arsimit.“Paratë tuaja shndërrohen në shkollë moderne për të vegjlit tuaj. Në një hark të shkurtër 4 vjeçar, Kashari ka ndërtuar 4 shkolla të reja, është shembull i shkëlqyer për arsimin, numëron 11 shkolla publike dhe 6 shkollla paraunversitare private, dëshmi e një iniciative të mirë, numëron 4 universitete private. Komuna juaj është sot qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit”, tha ai.
Kryeministri nënvizoi se kjo komunë ka shënuar arritje në fushën e dijes. “Arritjet në arsim janë arritjet më cilësore, më kryesore në rrugën e zhvillimit të një shoqërie të një kombi”.
Berisha shtoi më tej se qeveria e tij ka dyfishuar rrogat e arsimtarëve dhe do vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të pandërprerë.
“Nga viti 2006 deri më sot ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin, sot ky buxhet është mbi 50 miliardë lekë. Në një hark kohor të shkurtër ia kemi dalë të ndërtojmë 71% të shkollave universitare të vendit. Përpjekja jonë është jetike për arsimin, për të drejtuar Shqipërinë e dijes, Shqipërinë e të ardhmes. Ne ia kemi dalë, që sot të arrijmë disa nga treguesit më thelbësorë të vendeve të zhvilluara, të vendeve të dijes”, nënvizoi më tej kryeministri, transmeton “BalkanWeb”.
Qeveria, siç tha kryeministri do bëjë gjithçka për të rritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla. Do ketë internet dhe kabinete të informatikës në çdo shkollë. Berisha tha më tej se, do vazhdojë të mbështesë sipërmarrësit që do hapin shkolla të reja private.
“Do mbështesim sipërmarrësit që do hapin shkollat private. Të vazhdojmë t’ju japim tokë për shkolla, e lehtësime të tjera. Kjo rrugë e edukimit të fëmijëve shqiptarë. Nxitje konkurrencës në garën e dijes për të rritur cilësinë”, tha kreu i qeverisë. /Telegrafi/