Berisha kërkon njohjen e Kosovës nga Maroku
Në vijim të qëndrimit të tij në Strasburg, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Marokut, Abdel-Illah Benkiran.Duke u ndalur tek marrëdhëniet mes dy vendeve, Berisha nënvizoi nevojën për thellim të marrëdhënieve dypalëshe, si në ekonomi, turizëm, energjetikë, kulturë, etj.
Berisha, pasi siguroi Kryeministrin maroken për qëndrimin e Shqipërisë, e cila njeh i integritetin e Marokut, u ndal në situatën në rajon e në veçanti në Kosovë, ku theksoi se procesi që ka nisur aty është i pakthyeshëm.
Ai ftoi autoritetet marokene të dërgojnë një grup përfaqësuesish për të parë këtë realitet të ri, transmeton NOA.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se autoritetet shqiptare do ta vlerësonin së tepërmi nëse autoritetet marokene do të merrnin në konsideratë njohjen e shtetit të ri të Kosovës.
Kryeministri Maroken, pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për çështjen e integritetit, i premtoi atij se do ta shikojnë me seriozitet kërkesën e autoriteteve shqiptare, si një subjekt tepër i rëndësishme për rajonin. /Telegrafi/