Berisha: Nuk pranojmë copëtimin e shqiptarëve

13:47 / 3.02.2013

Gjatë fjalës së tij në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha theksoi se albanofobia është e gjallë dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në rajon. Ndërsa nënvizoi se kufijtë mbeten të parëndësishëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian, shefi i qeverisë shqiptare e cilësoi të papranueshme që shqiptarët e copëtuar në 5 shtete të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme.

“Nëse ju shihni hartën e Europës nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. E rrezikshme është ideja, sipas të cilës meqenëse shqiptaret janë të coptuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do te prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt”, deklaroi Berisha.

Kryeministri e konsideroi vendimtare për rajonin respektimin e plotë dhe implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe.

“Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë 'baruti" urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptarët Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Ne kemi menduar se ne duhet të adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo ne rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen ne 5 kombe, sepse nuk do te pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar”, deklaroi kryeministri.

Deputeti gjerman Rainer Stinner pyeti se cili ishte mesazhi i kryeministrit Berisha për ta?

“Ju lutem përpiquni të kuptoni më mirë, me drejt këto që unë paraqita këtu, të njiheni më mirë me realitetin në rajonin tonë. Dua ta ilustroj këtë me një shembull; Në vitin 1992 unë kam qenë këtu ne Mynih në të njëjtën Konferencë. Një gazetar italian i Corriere della Sera më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në rajon. Unë ju përgjigja se zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte vërtetë. Unë isha shprehur për bombardimin e bazave ushtarake të Serbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndofta do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë sërish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në rajon. Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit”, tha Berisha.

“Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një. Unë shpresoj se perspektiva europiane do të jetë ajo që do të sigurojë një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan ne BE ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë. Por në të vërtetë kjo nuk po ndodh në rajonin tonë”, deklaroi kryeministri. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.