Berisha: Rugova, Skënderbeu i dytë

20:26 / 21.01.2013

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndër të tjera është ndalur edhe për të nderuar figurën e Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai tha se në vitin 2006 u nda nga jeta, “në vlerësimin tim, personaliteti më i shquar i kombit shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, Presidenti Ibrahim Rugova”.

“Sa herë t’i rikthehemi ne historisë së kombit, ta shqyrtojmë dhe ta lexojmë atë, nuk do mund të gjejmë vlerësim tjetër për Presidentin Rugova si një Mahatma Grandhi i shqiptarëve dhe jo vetëm i tyre, i Ballkanit dhe jo vetëm i tij, por edhe i Evropës, i cili me forcën e ideve, me besimin e pathyeshëm te çështja që mbrojti u bë arkitekti i pavarësisë”, ka theksuar i pari i qeverisë shqiptare.

Rugova, sipas Berishës, çështjen e të drejtës së shqiptarëve të Kosovës, e shndërroi në një çështje mbarëkombëtare, çështje perëndimore, çështje të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve amerikanë.

Berisha kujtoi si Presidenti Rugova themeloi partinë e parë antikomuniste në Ballkanin e diktaturave, duke krijuar kështu pushtetin paralel të shqiptarëve, si kundërshtim i pushtetit barbar të Sllobodan Millosheviçit.

“Natyrisht, projekti i tij nuk mund të realizohej pa luftën e vendosur, heroike, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të saj, si dhe bombardimet ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kontributi i Presidentit Rugova është i jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës së pavarur. Ndaj dhe e gjykova që në këtë datë të ndarjes së tij nga ne të shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj tij, të shprehem se kam pasur fat të madh, sepse ai ishte burri i shtetit me të cilin unë kam pasur takimet më të shpeshta dhe më të ngushta, të shpreh bindjen se shqiptarët do të vlerësojnë gjithnjë e më shumë veprën e tij të ndritur”, u shpreh Berisha, duke theksuar me bindjen më të madhe, se “nga koha e Skënderbeut e deri më sot, ai ishte Skënderbeu i dytë, që kishte për shpatë idetë dhe që idetë e tij u shndërruan në realitet, para së gjithash, për besimin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin e tij ndaj tyre”. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.