Berisha “shpall” referendum për heqjen e imunitetit
Në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, pasi ka dështuar votimi për heqjen e imunitetit, kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi popullor për këtë çështje. “Nesër do t’i drejtohemi popullit për një referendum qytetar për heqjen e imunitetit. Do të jetë një votim plebishitar për shembjen e murit të turpit”, ka deklaruar Berisha.Më herët gjatë fjalës së tij, kryeministri akuzoi deputetët e opozitës se me veprimin e tyre për të mos e votuar heqjen e imunitetit, po shkelnin interesat parësore të votuesve të tyre. “Sot më shumë se kurrë, ligjvënësit duhet të tregonin më shumë respekt për qytetarët, institucionet dhe të ardhmen evropiane të vendit. Por deputetët e opozitës ngritën murin e bllokimit dhe u përcaktuan në mënyrë unanime se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit. Deputetët e opozitës do ngrihen në kundërshtim flagrant me interesat e zgjedhësve të tyre”, deklaroi Berisha.
Kryeministri u shpreh se synimi i vetëm i opozitës është bllokimi i statusit të kandidatit, sikurse është përpjekur të bëjë me nënshkrimin e MSA-së dhe anëtarësimin e vendit në NATO. “Kështu bëtë edhe për të bllokuar MSA-në dhe anëtarësimin në NATO. Është skemë tipike e PPSH-së. Kryetari juaj besonte se do ishte kryeministri i ardhshëm dhe pa imunitet, ai s’e konceptonte dot veten”, tha Berisha.
“Edhe ligjin për pasuritë kriminale, që na u kërkua për heqjen e vizave, jo vetëm që e votuat kundër, por e çuat në Gjykatën Kushtetuese. Opozita, në emër të trafikantëve, e çoi atë në Gjykatën Kushtetuese”, vijoi më tej kreu i qeverisë.
Ndërsa para tij ishte deputeti socialist Pandeli Majko që deklaroi se nisma e mazhorancës për heqjen e imunitetit është vetëm një iluzion. Ai theksoi se problemi nuk qëndron tek imuniteti që Kushtetuta u jep zyrtarëve, por tek imuniteti politik që atyre u jep posti qeveritar.
“Qeveria dëshiron të ushqejë iluzionin se me këtë votim i jep fund korrupsionit në Shqipëri. Në fillim duhet hequr imuniteti politik, është ky imunitet dhe jo ai kushtetues që mbron zyrtarët nga korrupsioni. Kjo është ortakëria e së keqes. Drejtësia që nuk godet korruptohet, ky është realiteti”, nënvizoi Majko, raporton TCH.
“Duket sikur kemi një qeveri që po tenton të bindë qytetarët dhe Brukselin se po bën maksimumin për të luftuar korrupsionin”, u shpreh më tej ai.
Majko vlerësoi se, PS u bë protagoniste e një kompromisi për ndryshimet kushtetuese, por kjo nuk ndihmoi në zgjidhjen e problemeve. “Faji i opozitës ishte se propozoi ndryshime të tjera që konsistonin në mënyrën e zgjedhjes së krerëve të institucioneve kushtetuese. Dështimi vjen si pasojë e pafuqisë së qeverisë, që dështoi në implementimin e premtimit të vitit 2005, për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor”, tha më tej Majko, duke potencuar se kësaj radhe opozita nuk do të votojë, megjithese nuk është kundër kufizimit të imunitetit, duke kërkuar që në shtator të votohen edhe ndryshime te tjera. /Telegrafi/