Berisha: Vrasësi i përsëritur goditi kryekomisarin
Pas homazheve të bëra në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në nderim të komisar Adem Tahiraj, Kryeministri Sali Berisha përsëriti edhe njëherë ngushëllimet për dëshmorin më të fundit të atdheut.Kryeministri tha se kryekomisar Tahiraj ra në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe qetësinë në Shijak, ndërsa kujtoi se ai ka qenë një oficer dhe një kryekomisar shembullor, trim, i vendosur që me sakrificën e tij sublime, u faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të.
“Ko është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë , ndaj dhe unë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ngushëlloj forcat e rendit, efektivat e policisë, për humbjen e njërit prej anëtarëve më të talentuar të tyre, por i siguroj ato për mbështetjen më të plotë dhe të vendosur të Qeverisë dhe besimin e palëkundur se me forcën e ligjit do të ndëshkohet krimi dhe kriminelët aty ku ndodhen në mënyrën më të vendosur”, u shpreh Berisha, citon noa.al.
Ai tha se dje një vrasës i përsëritur goditi kryekomisarin, por shtoi se natyrisht drejtësia do të thotë fjalën e saj, sikundër do hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar.
Ai garantoi edhe njëherë qytetarët se Policia e Shtetit është sot më e vendosur se kurrë të japë përgjigjen e merituar të gjithë atyre që për qëllime kriminale kërkojnë ti imponohen rendit dhe ligjit.
Në vijim Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në mesazhin e saj të ngushëllimit tha se Tahiraj tregoi sens të lartë të detyrës, nder për Policinë shqiptare si modeli i policit. /Telegrafi/