Besimi: Veprova duke u bazuar në vlerat e MO-së
Ndërtimi i mirëbesimit bazohet në respektin e ndërsjellë dhe sinqerisht më vjen se nuk është kuptuar plotësisht ky përcaktim që buron nga Marrëveshja e Ohrit, e që është pjesë e Kushtetutës. Këto përcaktime tona janë me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen dhe prosperitetin e Maqedonisë. Ky ka qenë komenti i ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, pas takimit të sotëm me shefat e Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë dhe ish-ministrave të Mbrojtjes, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të njëzetë të ARM-së.Besimi ka ripërsëritur se homazhet në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së janë bërë në frymën e vlerave të Marrëveshjes së Ohrit dhe se nuk duhet pasur frikë nga një veprim i tillë, pasi “garancia më e sigurt për të ardhmen e Maqedonisë është që qytetarët të respektohen mes vete”, transmeton “Zhurnal”.
Ai ka mohuar të ketë tensione pas reagimeve të djeshme me partnerin e koalicionit dhe Qeverinë, me Shtatmadhorinë dhe Presidentin e Shtetit dhe ka shtuar se raportet mes këtyre institucioneve janë të precizuara qartë në Ligjin për Mbrojtje.
“Jam ministër i Mbrojtjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë qofshin ata maqedonas, shqiptarë, turq, vllahë, serbë, romë... Jam i bindur se pjesa më e madhe e qytetarëve duan ndërtimin e jetës së përbashkët dhe respektimin e ndërsjellë, si garanci për të ardhmen e shtetit”, ka thënë ministri Besimi. /Telegrafi/