Biserko: Platforma e Serbisë - humbje kohe

14:01 / 23.12.2012

“Beogradi nuk mund të pres më shumë se ajo që parashihet me Planin Ahtisaari, që është maksimumi që mund të arrihet në rrethanat ekzistuese. Është çështje tjetër se kur Beogradi do të pajtohet me realitetin në Kosovë, ka thënë kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, duke folur për platformën serbe për Kosovën.

“Mendoj se kjo platformë është mjaft dekurajuese duke e ditur se çfarë pritet nga Serbia në drejtim të kandidaturës (për anëtarësim në BE). Platforma përbën një lloj regresi, sepse ajo e trajton Kosovën thuajse s’ka ndodhur asgjë në ndërkohë-nuk njihet pavarësia e Kosovës e nuk flitet për një lloj përmirësimi për jetën e serbëve në veri. Ka një konsensus për këtë në mes të presidentit dhe kryeministrit, Ivica Dacic, por ky i fundit tha se nuk bëhet fjalë për vetëqeverisje dhe se gjatë dialogut me Prishtinën do të shqyrtoheshin aspekte të tjera” tha Biserko në një intervistë për REL.

Ajo tha se bashkësia ndërkombëtare, kryesisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim mbi platformë.

“Duket se ata nuk janë të kënaqur me këtë formë, ndërsa presin që të dalë diçka tjetër. Është mjaft e qartë që Prishtina nuk do ta pranojë këtë platformë si pikënisje, sepse shkon përtej pritjeve të tyre dhe asaj mbi të cilën është arritur pajtim në bisedimet e fundit ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës e Serbisë”.

E pyetur nëse pas publikimit të platformës, do të ketë vazhdim të dialogut në janar, siç është paralajmëruar, Biserko thotë se nuk mund të ketë bisedime mbi bazën e kësaj platforme.

“ Prishtina dhe Beogradi i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre. Pritet që Beogradi të lëvizë përpara dhe do të jetë e rëndësishme të shihet se si Ivica Daçiq do ta trajtojë këtë platformë dhe se si do t’i qaset Prishtinës gjatë javëve të ardhshme. Kemi para vetes një pauzë - Kërshëndellat, Viti i Ri dhe festat e fundvitit, por pastaj Beogradi duhet të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës nëse dëshiron ta marrë nisjen e negociatave për anëtarësim në BE”, tha ajo.

Më tej Biserko tha se BE-ja dhe Washingtoni janë mjaft të qartë në pritjet e tyre nga rezultati i dialogut

“Kosova është e pavarur. Presin përmirësime vetëm për serbët në veri të Kosovës, por jo Republika Srpskan, të cilën e synon Beogradi. Andaj, bëhet fjalë për korrektimin e Planit të Ahtisaarit që është maksimumi për cilindo minoritet. Mendoj se minoritetit serb në Kosovë i është ofruar maksimumi që mund t’i ofrohej ndonjë minoriteti në Ballkan apo kudo tjetër...
... Beogradi nuk mund të presë më shumë dhe ky është maksimumi që mund të arrihet në rrethanat ekzistuese. Është çështje tjetër se kur Beogradi do të pajtohet me realitetin në Kosovë”, ka thënë Biserko. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.