Breivik: Meritoj medalje
Njeriu që pranoi se ka kryer shpërthimin dhe sulmin që la të vrarë 77 njerëz në korrik të vitit të kaluar në Norvegji, tha dje se ai meriton medaljen e lirisë për vrasjet që ka bërë. Ai madje kërkoi që të lirohet menjëherë. Ekstremisti djathtist, Anders Behring Breivik, u paraqit dje në një seancë dëgjimore në Oslo, në të cilën ishin edhe të mbijetuarit e sulmit dhe familjarët e viktimave.
Breivik ka pranuar se ka kryer sulmet ndaj ndërtesës qeveritare dhe sulmin në ishullin Utoya. Ai pretendon se masakra është provokuar nga politikat qeveritare të imigracionit, duke e përshkruar aktin e tij si "sulm kundër tradhtarëve shtetërorë".
Një vlerësim i bërë nga ana e psikologëve, e ka konsideruar Breivikun si "të çmendur". Nëse do të gjendet fajtor për terrorizëm, ai pritet të dënohet me 21 vite burgu. Por, ai ka shumë mundësi që të përfundojë në një qendër për rehabilitimin e të sëmurëve mendorë.
Procesi gjyqësor ndaj tij pritet të fillojë në muajin prill. /Telegrafi/