Brukseli ofron “status special” për veriun?
Autoriteteve shtetërore të Serbisë, në takimin e sotëm me kryediplomaten evropiane, Catherine Ashton, do t’iu ofrohen “institucione të caktuara qeveritare në veri të Kosovës dhe një lloj statusi special për këtë pjesë”, shkruajnë mediat serbe.Sipas tyre, pranimi i kësaj oferte, “do t’i hapte rrugën Serbisë për marrjen e datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
“Nëse oferta e Brukselit është e pranueshme për Beogradin, Ashton, më 16 prill do t’i rekomandonte Këshillit të Ministrave që t’i ndajë Serbisë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në bllok”, shkruan Tanjug, duke u thirrur në burimet e veta, transmeton Rel.
Prishtina është shprehur fuqishëm kundër statusit të veçantë për veriun e Kosovës, duke thënë se për gjithë territorin e vendit do të vlejnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës.
Autoritetet shtetërore të Serbisë pritet të takojnë sot në Bruksel baroneshën Ashton. Kjo e fundit, ndërkaq, do të qëndrojë këtë javë në Prishtinë. /Telegrafi/