Bujanoc, emrat e rrugëve e prishën koalicionin
Në Bujanoc është prishur koalicioni që ishte duke qeverisur për më shumë se dy vite komunën, pasi anëtarët e partive shqiptare miratuan një propozim me të cilin duhet të ndryshohen 17 emërtimet serbe të rrugëve të qytetit.Propozimi për t’i ndryshuar këta emra është miratuar nga komisioni shtatë anëtarësh, tek i cili katër përfaqësues shqiptarë mbivotuan tre anëtarët serbë.
Me këtë vendim, në Bujanoc hiqen emrat e rrugëve: “Car Lazari”, “Carica Milica”, “Vojvod Misica”, “Vojvod Stepe”, “Radomir Putnik”, “Dimitri Tucovic”, “Dosite Obradovic”, “Svetozar Markovic”, etj.
Këta emra pritet të zëvendësohen me Skënderbeun, Rexhep Hasanin, Naim e Sami Frashërin, Idriz Seferin dhe shkrimtarë dhe luftëtarë të tjerë shqiptarë.
Sipas ditores Blic, emër të një rruge do të ketë edhe dëshmori Fatmir Ibishi, ish pjesëtar i UÇPMB-së, i cili në vitin 2000 ishte vrarë nga forcat serbe në Konçul.
Ndërkohë, sheshi qendror në Bujanoc, që mbante emrin e udhëheqësit të kryengritjes së parë serbe, të Karadord Petrovicit, do ta ketë emrin Sheshi Skënderbeu.
Vendimin përfundimtar për këto ndryshime do ta jep komisioni përkatës i Ministrisë së Administratës Publike, Administratë Lokale, të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Menjëherë pas kësaj, përfaqësuesit serbë në Kuvendin Komunal kanë deklaruar prishjen e koalicionit qeverisës me shqiptarët në këtë komunë.
“Që sot, asgjë nuk është si më parë në Bujanoc. Koalicioni më nuk ekziston”, ka thënë zëvendëskryetari i Bujanocit, Stojanca Arsic. /Telegrafi/