Buka në QKUK bartet me autoambulancë
Në vend se autoambulanca të bartë pacientë, ajo përdoret për bartjen e bukës nëpër klinika të QKUK-së. Në pamjet e siguruara nga KTV shihet se si shporta të mbushura me bukë zbrazen nga një autoambulancë, lihen në trotuar, ku ka frekuentim të vazhdueshëm të automjeteve, dhe pas disa çastesh fillojnë të dërgohen nëpër klinika për pacientë. Menaxheri i kuzhinës qendrore në QKUK, Adem Llumnica mohon se bartja e bukës nëpër klinika të QKUK-së bëhet në këtë mënyrë. Ai thotë se buka nëpër klinika shpërndahet me një furgon të posaçëm dhe në mënyrë higjienike.
Nga ana tjetër, Inspektorati sanitar thotë se shpërndarja e bukës në këtë mënyrë është rreptësisht e ndaluar dhe se ky inspektorat ka pasur vërejtje në vazhdimësi për mënyrën e shpërndarjes së ushqimit nëpër klinikat e QKUK-së. /Telegrafi/