Bullgaria mbështet integrimin e Maqedonisë me kushte
Bullgaria e mbështet eurointegrimin e Maqedonisë, por jo në çdo aspekt, tha shefi i diplomacisë bullgare Nikolay Mladenov. "Ka kushte të caktuara të cilat nga pikëpamja jonë duhet të realizohen që të vazhdojë të materializohet mbështetja jonë në atë mënyrë në të cilën kjo bëhet tani më 20 vite", theksoi Mladenov.
Në takim me kryetarin e vetëqeverisjes lokale në Blagoevgrad, ai ka theksuar se Bullgaria është vendi i cili ka interes më të madh që Maqedonia të shkojë në rrugën drejt BE-së, duke i plotësuar kriteret. "Mbështetja jonë është konstruktive dhe bazohet në pozitën e përgjithshme se të gjithë fqinjët tanë nga Ballkani Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së. Njëkohësisht Bullgaria në mënyrë strikte përmbahet ndaj parimeve dhe kritereve për anëtarësim midis të cilëve zhvillimi dhe mbështetja e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Bullgaria nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjërit fqinj, por konsiderojmë edhe se fqinjët tanë nuk duhet të kenë pretendime të pakicës ndaj Bullgarisë sepse në shtetin dhe shoqërinë bullgare secili është i lirë që të deklarohet ashtu siç dëshiron", theksoi ministri bullgar i Punëve të Jashtme.
Mladenov, siç transmeton BTA-ja, ka theksuar edhe se është e rëndësishme që Bullgaria dhe Maqedonia së bashku t'i festojnë festat dhe historinë që të mund së bashku ta ndërtojnë edhe ardhmërinë. /Telegrafi/