Burgaj flet për vrasjen e komesarit të Shijakut
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj në një komunikim me mediat dha detaje për vrasjen e Komisarit të Shijakut Adem Tahiraj.Burgaj theksoi se menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen e rëndë, u morën masa për kapjen e autorëve të identifikuar si Ilir Xhakja dhe Ledjan Krasnaj.
“Dy autorët e ngjarjes u larguan nga vendngjarja me mjetet e tyre, ku për kapjen e tyre u përfshinë forcat RENEA, ndërhyrja e shpejtë, grupi i posaçëm hetimor për krimet e rënda etj. Nga informacionet e sakta të grumbulluara dhe bllokimi i të gjithë zonës me forca të shumta policore u arrestua 38 vjeçari Ilir Xhakja, person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë për vrasje, i arrestuar në vitin 2007 dhe i liruar në vitin 2011”, u shpreh Burgaj raporton noa.al.
Në vijim ai tha se ndaj të ndaluarit u dha masa e arrestit për vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje.
Sakaq ai theksoi se gjatë kontrollit të bërë në banesën e Ilir Xhakja-s u gjet arma e krimit, 2 automjete me të cilat autorët janë larguar, dy mjete të blinduar, një mjet furoistradë, armë zjarri dhe targa automjetesh të cilat u dërguan për ekspertizë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi gjithashtu se policia vazhdon punën me intensitet për kapjen e autorit të dytë të përfshirë në vrasjen e kryekomisar Tahirajt dhe konkretisht, Ledjan Krasnajt të cilët iu gjetën 60 fishekë të llojeve të ndryshme në banesë.
Në emër të Policisë së Shtetit dhe kolegëve të të ndjerit, Burgaj shprehu ngushëllimet për familjarët e kryekomisar Adem Tahiraj, ndërsa garantoi se fuqia e ligjit do bjerë mbi autorët. /Telegrafi/