Çeku dhe Imami nënshkruan marrëveshjen SOFA

19:21 / 1.07.2013

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), Agim Çeku dhe Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami nënshkruan sot marrëveshjen SOFA.

Ministri i FSK-së Agim Çeku tha se “gjatë këtyre viteve të bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, kemi realizuar një varg aktivitetesh dhe bashkëpunimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Këtij bashkëpunimi po i shtojmë edhe një dokument që i rregullon marrëdhëniet tona edhe më fuqishëm dhe kjo po bëhet mbi bazën e standardeve të NATO-s”.

Ministri Çeku me këtë rast në emër të Ministrisë për FSK, dhe në emër të FSK-së i dorëzoi ministrit Arben Imami, medalje për “Shërbim të merituar”, në shenjë respekti për punën, kontributin dhe ndihmën e pakursyer në mbështetje të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami me këtë rast tha se bashkëpunimi i frytshëm që ekziston ndërmjet të dy ministrive dhe Forcave, do të vazhdojë edhe më tutje dhe se kjo po fuqizohet edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes Suplementare SOFA dhe kjo është edhe me e fuqishme sepse po shkojmë drejt rrugës se integrimit në NATO.

Ministri Imami po ashtu, potencoi se kjo është vizita e fundit zyrtare e tij në këtë mandat që po i bëhet Kosovës dhe FSK-së, dhe se ndjehet i lumtur që pikërisht me FSK-në po e përfundon agjendën e tij si ministër sa i përket angazhimeve zyrtare në Kosovë.

Marrëveshja SOFA, rregullon procedurat e hyrjes/daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës, si dhe përbërësve civil apo personave në varësi.

Ministri i Mbrojtjes të Republikës u prit me nderime të larta shtetërore nga Garda Ceremoniale e FSK-së, si edhe me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Shqipërisë.

Më rastin e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe zëvendësministrat e FSK-së, Shemsi Veseli dhe Bejtush Gashi si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Sigurisë, gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe shefit të Ushtrisë shqiptare, gjeneral major Xhemal Gjunkshi. Marrëveshja ndërmjet dy vendeve u nënshkrua në kazermën e FSK-së në Prizren. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.