Çeku: Nuk po përmbushen premtimet ndaj FSK-së
Zvogëlimi i kontingjenteve të trupave paqeruajtëse nuk ka sjellë edhe përmbushjen e premtimeve që i kanë dhënë ato Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta mbështetur me mjete. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ankohet se kjo forcë po përballet me mungesa tejet të mëdha të pajisjeve për emergjenca civile. Madje si pasoj e kësaj ai tregon se ushtarët po rrezikojnë jetën e tyre në terren.E thirrur ligjërisht për të reaguar në emergjenca civile forca kosovare sipas të parit të saj nuk ka as mjetet minimale për veprim.
Krejt kjo sipas ministrit është rezultat i pengesave që ka pasur dhe vazhdon të ketë kjo forcë nga segmente të ndryshme që të mos pajiset me mjete më të rënda.
“Ka dhe ka pasur pengesa. Nuk ka pasur pengesa ligjore, por pengesa në formë të sugjerimeve këshillave të sinqerta siç i quajnë ata që nuk është mirë që FSK të pajiset me këso mjetesh për shkak se i dërgohet një mesazh i keq rajonit e fqinjëve dhe nuk është koha”, i ka thënë Çeku, Radio Kosovës.
Megjithatë ai nuk ka sqaruar aq shumë pse ka qenë e domosdoshme për t’u përfillur këto sugjerime përderisa nuk ka pasur pengesa ligjore.
Çeku nuk ka dhënë ndonjë pasqyrë të qartë të skemës së donacioneve që ka marrë forca e sigurisë në emër të emergjencave civile. Ai ka thënë se e ato janë shumë, por aspak të mjaftueshme.
“Nuk i di saktë shifrat. Por ka shumë. Kur nuk ke asgjë çdo gjë që jepet është shumë. Ato kanë qenë donacione për nevoja imediate e jo donacione afatgjata që ndihmojnë zhvillimin FSK-së”, ka thënë Çeku.
Rreth pengesave për pajisje të FSK-së nuk kanë ndonjë përgjigje zyrtarët e NATO-s as në Prishtinë e as në Bruksel e cila ka pasur deri më tani mandat ekzekutiv mbi FSK-në.
Në kohën kur maleve në jug të Kosovës janë përfshirë nga zjarre të mëdha në disa vende edhe afër vendbanimeve ministri i forcës kosovare thotë se vendet e rajonit po bëjnë përpjekje të bëjnë një marrëveshje rajonale që qeveritë të ndihmojnë njëra tjetrën në rast të emergjencave civile.
Sipas shpjegimit të ministrit prezenca e KFOR-it ende shihet si një masë e mjaftueshme sigurie, madje edhe për emergjencat civile, në mënyrë që buxheti të orientohet në kahe tjera. /Telegrafi/