Çetnikët mund të nxisin konflikt për Vidovdan
Organizata të ndryshme çetnike e ultranacionaliste, të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb, siç janë ‘Obraz’ , ‘Srpski cetnicki pokret’, ‘Pokret 1389’ , ‘Delije’ ‘Grobari’, pastaj qindra motoristë, si dhe grupe tjera famëkëqija të ekstremit të djathë që luftojnë për Serbinë e madhe dhe të pastër me krishterë ortodoksë, kanë paralajmëruar nisjen drejt Kosovës për festën e Vidovdanit më 28 qershor. Gjatë takimit mes drejtorit komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe jo serbëve të lagjeve veriore të Mitrovicës, është kërkuar nga ata që të ruhet qetësia dhe të kenë besim tek institucionet në mënyrë që situata të menaxhohet më lehtë.
“Qëllimi i strukturave ilegale në veri është që të provokojnë konflikt ndëretnik, andaj çdo eskalim i situatës shkon në favor të atyre që nuk e duan Kosovën”, ka thënë Bala, duke apeluar tek të gjithë për maturi dhe kontribut për qetësim të situatës, raporton KP.
Bala ka thënë se shqiptarët që jetojnë në veri përkundër provokimeve të vazhdueshme kanë dhënë provimin e pjekurisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Ai bëri thirrje që kjo të vazhdojë në mënyrë që situata të ruhet e qetë.
Përfaqësuesit e lagjeve veriore kanë thanë se gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës kanë qenë të provokuar dhe kanë jetuar në presion të vazhdueshëm, megjithatë janë zotuar për të ndikuar në popullatë që të mos bëhen pre e provokimeve të grupeve kriminale, të cilat do të qëndrojnë në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi gjatë festës së Vidovdanit. /Telegrafi/