Cila është zgjidhja e “guximshme” për veriun?

15:04 / 12.07.2012
Kosova duhet të ketë guxim politik të trajtojë problemin e veriut, ishte një nga mesazhet që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i drejtoi lidershipit të Prishtinës në përfundim të vizitës së tij në Kosovë.

Duke e bërë të qartë se problemi i veriut nuk zgjidhet ushtarakisht dhe me dhunë, Rasmussen kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi të gjejnë një zgjidhje politike. Megjithatë, aktualisht në Prishtinë nuk ka ndonjë ndryshim të qëndrimit sa i përket problemit të veriut, krahasuar me trajtimin që i është bërë këto vitet e fundit.

Pozitë e opozitë në Kosovë thonë se zgjidhja për veriun ekziston në Planin e presidentit Ahtisaari, në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Por, problemi sipas tyre, është se ky Plan dhe këto ligje nuk po mund të zbatohen në atë pjesë, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rikujton deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi se pjesa veriore nuk do të fitojë status të veçantë politik.

“Kryeministri e ka thënë dje në mënyrë të qartë se nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë status tjetër për veriun e Kosovës dhe se do të ketë vetëm mundësi për zbatimin e Pakos së Ahtisarit, Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk sheh zgjidhje tjetër përveç asaj që parasheh Plani i presidentit Ahtisari. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se ndihma më e madhe që mund t’i japë komuniteti ndërkombëtar zgjidhjes në veri është që ta shtojë trysninë mbi Beogradin që të pushojë së financuari strukturat ilegale të cilat po pamundësojnë shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në atë pjesë.

“Zgjidhja ekziston në Pakon e Ahtisaarit. Ti mund të dialogosh apo bisedosh me dikë se si të zbatohet kjo, por jo a të zbatohet diçka që parashihet me Kushtetutë”, ka theksuar Beqiri.

Krahas deklaratave të zyrtarit të lartë të NATO-s për dialog politik për veriun, edhe instituti KIPRED kishte parashikuar se veriu po rrëshqet kah autonomia. Por, që të ndodhë kjo, ky institut kishte parashikuar që në Kosovë do të krijohet një qeveri më e fuqishme në përbërje Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se kjo parti politike fillimisht pret lirimin e liderit të saj Ramush Haradinaj nga Haga. Por, në çdo rast, Ramadani e përjashton mundësinë që AAK të hyjë në ndonjë koalicion qeverisës tani apo më vonë me qëllim të avancimit të statusit politik të pjesës veriore të banuar me shumicë serbe.

“Këto janë spekulime të momentit dhe të pabaza... Pjesë e agjendës sonë nuk është thellimi i të keqes në veri, por pjesë e agjendës sonë është shtrirja e autoritetit të shtetit dhe zgjidhja e problemit atje”, ka deklaruar Ramadani.

Veriu i Kosovës ka sfiduar jo vetëm autoritetin e shtetit të Kosovës, i cili për më shumë se katër vjet nuk arriti të shtrijë pushtetin në atë pjesë, por edhe misionet ndërkombëtare të vendosura në Kosovë nga qershori i vitit 1999 e këndej. Strukturat politike serbe atje thonë se nuk do ta njohin asnjëherë shtetin e Kosovës dhe se do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht duke zbatuar vetëm ligjet e Serbisë.

Një situatë e tillë në veri është konsideruar si çështje e pazgjidhur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ,i cili i ftoi palët e përfshira të bisedojnë dhe gjejnë zgjidhje politike, por e cila, sipas tij, do të nënkuptonte në fund integrimin dhe jo ndarjen e kësaj pjese nga Kosova. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
12:57 / 22.05.2013
Genta Ismajli

Genta fton “ta pastrojmë Kosovën”

Genta Ismajli i është bashkuar fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, një fushatë e nisur për të mobilizuar të gjithë ...
Teknologji
11:12 / 22.05.2013
IBM të lansojë Watson, rivalin e rrezikshëm të Siri dhe Google Now

IBM të lansojë Watson, rivalin e rrezikshëm të Siri dhe Google Now

Verën e kaluar, prodhuesi i famshëm i pajisjeve elektronike, IBM pati folur për ri-fokusim të kompjuterit të saj inteligje...
Ekonomi
13:23 / 22.05.2013

Qeveria po luan me kodin telefonik

Në shtator të vitit të kaluar, me iniciativën e deputetëve të Lëvizjes për Bashkim (LB), Kuvendi miratoi rezolutën pë...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.