Cilësia e dobët rrezikon të ardhmen

17:26 / 31.01.2013

Cilësia e ulët e arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare, mbetet një ndër shqetësimet kryesore për njohësit e kësaj fushe dhe prindërit e nxënëseve të cilët ndjekin mësimet në shkollat publike të Kosovës. Ata thonë se cilësia e dobët në arsim po rrezikon të ardhmen e Kosovës.

“Reformat e bëra përgjatë viteve në sistemin arsimor, kanë dështuar në tërësi, për arsye të mos përgatitjeve paraprake për të aftësuar njerëzit që do të bëjnë zbatimin e atyre reformave”, bën të ditur eksperti i çështjeve të arsimit Halim Hyseni. “Ata të cilët janë marrë me reforma nuk kanë qenë njerëz të cilët kanë pasur njohuri të mjaftueshme të teorisë së ndryshimeve në arsim dhe janë udhëhequr nga mendja e pashkolluar ... Në këto reforma nuk janë përfshirë mësimdhënësit e Kosovës. Në këto ndryshime nuk kanë qenë të përfshirë nxënësit, prindërit, si dhe ekspertë të arsimit vendor”.

Problem tjetër që ka bërë që Kosova të ketë nivel të ultë të cilësisë në arsim, sipas Halimit, është edhe politizimi i arsimit, infrastruktura e dobët, e cila nuk krijon mundësi që të dilet nga ky kaos.

Çështja e cilësisë së arsimit, thotë Hyseni për Radio Evropa e Lirë, duhet të shtrohet si çështje edhe në Kuvendin e Kosovës, si dhe formimi i një komision nacional për ndryshime në arsim.

Në anën tjetër, reformat e bëra në sistemin arsimor edhe nga prindërit e nxënësve në Kosovë shihen si të dështuar. Cilësia e arsimit, vlerësojnë ata, ende ka mbetur nën nivelin e dëshirueshëm.

Albana Nikqi, nënë e një nxënësi që ndjek mësimet në një shkollë publike në Kosovë, tregon për REL se aspak nuk është e kënaqur me nivelin arsimor.

Reformat ë bëra gjatë këtyre viteve, thotë ajo, nuk kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim. Megjithatë, Nikqi shpreson se me disa ndryshime që pritet të ndodhin gjatë këtij viti në sistemin arsimor, do të ketë përmirësime.

“Po shpresoj që me planprogramin e ri, i cili ende nuk ka filluar të zbatohet në shkollat tona, do të eliminohen disa gjëra të tepërta, që janë në librat e fëmijëve tanë dhe disa lëndë që janë tepër për moshën e tyre”, shprehet ajo.

Mirëpo, ndryshe nga vlerësimet e këtyre të fundit shprehen zyrtarë të Agjencisë për Akreditim e Kosovës, agjenci kjo e cila vlerëson cilësinë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.

Basri Muja, nga kjo agjenci, tregon se që nga paslufta, arsimi i lartë në Kosovë ka kaluar nëpër disa faza. Kosova, tregon ai, është ndër vendet e para e cila ka filluar të zbatojë reformën që ka dalë nga deklarata e Bolonjës.

Sipas tij, në fillim të zbatimit të reformave në arsim ka pasur probleme dhe defekte, por që me kalimin e kohës janë bërë ndryshime në të mirë të arsimit në Kosovë.

“Nga viti 2008 është vërejtur një përmirësim përmbajtjesor, si tek institucionet private ashtu edhe publike. Kjo ka pasur të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm të planprogrameve të tyre. Mund të them të se të gjitha planprogramet që janë në aplikim në Kosovë janë të krahasueshme me ato të institucioneve arsimore më prestigjioze evropiane”, bën të ditur Muja. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.