Clinton do ta lë postin e shefes së diplomacisë amerikane
Vizita e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton në Kosovë mbase do të jetë një nga vizitat e saj të fundit në një vend para se ajo të lë postin e shefes së diplomacisë amerikane.Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama deklaroi mbrëmë se ”përkundër lutjeve që i kishte bërë”, Clinton kishte vendosur ta lë postin.
“Ajo ka bërë një punë të mrekullueshme, ka udhëtuar me mijëra milje, ka punuar vërtetë shumë,” tha presidenti amerikan në kanalin NBC, në programin e “Tonight Show” në Los Angeles.
Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara mbahen më 6 nëntor, ndërsa mandati i presidentit të tashëm përfundon më 20 janar të vitit të ardhshëm kur e bën betimin presidenti i ri, qoftë ai Obama apo sfiduesi i tij, Mitt Romney.
Clinton do të qëndrojë në postin e saj edhe për më pak se tre muaj gjithsej, deri në fund të mandatit të presidentit Obama.
Mbështetësit e Clintonit, të cilët nuk janë të pakët në Amerikë, mendojnë se largimi i saj nga politika do të jetë një ”pensionim i përkohshëm”, pasi ajo sërish do të kthehet në përpjekjen e dytë për të fituar presidencën amerikane në zgjedhjet e vitit 2016. /Rtk/Telegrafi/