Clinton: Fund gjakderdhjes nga regjimi i Assadit
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ripërsëriti qëndrimin e Uashingtonit për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe regjimit të Bashar Al Assad. Ajo u takua ne Stamboll me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutollu. Ajo foli për ngritjen e një grupi pune me Turqinë për të koordinuar përgjigjen për krizën në Siri.
“Biseduam me ministrin e jashtëm për të mbështetur opozitën siriane në përpjekjen e saj për t’i dhënë fund dhunës dhe nisjes së tranzicionit për një Siri të lirë, demokratike, pa Assadin", tha Clinton.
Turqia,dikur një vend aleat me Sirinë, është shndërruar në një kritike të ashpër të regjimit sirian dhe mbështet grupet opozitare. Nga ana tjetër ky vend po përballet edhe me krizën e rëndë humanitare, pas mbërritjes së 50 mijë refugjatëve sirianë. Clinton tha se të paktën 2 milionë persona kanë nevojë urgjente për ndihme humanitare në Siri si dhe foli për një ndihmë shtesë prej 5.5 milionë dollarësh për refugjatët sirianë në Turqi, transmeton TCH.
Ndërkohë Shërbimet e Inteligjencës Amerikane paralajmëruan për infiltrimin e terroristëve në grupet e kryengritësve. "Al Qaeda nuk përfaqësohet me grupe të vogla, të izoluar, por po ndërton një rrjet celulash të organizuara mirë- pranojnë zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane- të cilët i frikësohen krijimit të një baze në Siri, siç ndodhi në Irak. Sipas tyre, janë të paktën 200 militantë të lidhur me organizatën terroriste "Al Qaeda" në Siri duke parashikuar shtimin e numrit të tyre, me mbërritjen e luftëtarëve të huaj.
Shtetet e Bashkuara , nga ana tjetër, përfshinë në listën e të sanksionuarve edhe lëvizjen shiite libaneze Hezbollah e cila mbështet regjimin e Bashar Al Assad. Madje e akuzojnë për "trajnimin, këshillimin dhe mbështetjen logjistike" të qeverisë siriane në luftën kundër opozitës siriane. /Telegrafi.