Cyrih, prokurori kërkon 20 vjet burg për kosovarin që vrau të dashurën

20:01 / 25.02.2013

Në Gjykatën e lartë të Cyrihut më 4 mars rifillon gjykimi i kosovarit për vrasje të rëndë të mikes së tij, të kryer para 4 vitesh. Ai qe dënuar më parë me 13.6 vjet burg, por prokurori ka kërkuar dënim prej 20 vjetësh.

Katër vjet pasi ka vrarë të dashurën e tij zvicerane në një parking dhe një vjet pasi që është dënuar, një shqiptar nga Kosova përballet sërish me gjyqin. Pala paditëse pati kërkuar dënim për vrasje të rëndë, gjegjësisht 20 vjet burg ndërsa mbrojtja për vrasje nga pakujdesia. Gjykata e qarkut në Uster të Cyrihut e pati dënuar atë me 13 vjet e 6 muaj burg për vrasje me paramendim dhe delikte tjera.

Ndërkohë, pas ankesës së bërë nga prokurori i lëndës, më 4 mars rifillon në Gjykatën e lartë të Cyrihut gjykimi i kosovarit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 7 mars 2009 pak para mesnatës në automobilin e kosovarit atëbotë 20 vjeçar në parkingun e qendrës tregtare në Volketswil të kantonit të Cyrihut. Dorasi në mënyrë të papritur i kishte drejtuar të dashurës së tij 17 vjeçare revolen në qafë dhe e kishte shkrepur atë.

Megjithëse i kishte shkaktuar plagë të rënda, ai nuk e kishte dërguar vajzën menjëherë në spital. Ai së pari ishte takuar me vëllanë e tij e pastaj e kishte zvarritur edhe më tej dërgimin e saj në spital, gjë që kishte sjellë vdekjen e saj, transmeton Albinfo.ch.

Ai është kapur nga policia po atë natë dhe nga ajo kohë është duke vuajtur burgun. Arma me të cilën ishte kryer vrasja ka mbetur sot e atë ditë e zhdukur. I dënuari ka kundërshtuar të deklarohet rreth saj. Gjatë rrjedhës së hetimeve ai ka ndryshuar disa herë rrëfimin rreth vrasjes.

Ai ishte deklaruar se një dënim për vrasje të rëndë “nuk do ta pranonte kurrë”. Por, ai nuk kishte pranuar as variantin se vrasja ishte bërë nga pakujdesia. Sipas tij, thjesht, “diçka kishte shkuar mbrapshtë atë natë”. Vetëm pas këmbënguljes së mbrojtësit të tij ai kishte pranuar cilësimin e veprës së tij si vrasje nga pakujdesia. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.