Dacic: Larg marrëveshjes me Prishtinën
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Beogradi dhe Prishtina janë larg marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, sepse “Serbia kërkon përgjegjësi ekzekutive për të, ndërsa pala kosovare nuk pranon”.“Na mbetet të shohim nëse ka mundësi për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Ne nuk kemi ku të lëshojmë më pe. Nuk gënjejmë dhe e themi hapur. Marrëveshja është e mundur, por jemi ende larg saj”, u ka thënë Dacic gazetarëve në Nish.
“Nëse dikush mendon se serbët në Kosovë do të botojnë revista dhe se kjo është kompetencë e mjaftueshme, atëherë jemi larg marrëveshjes”, ka shtuar Dacic, transmeton REL.
Për këtë çështje është biseduar dhe pritet të diskutohet edhe në raundin e ardhshëm të dialogut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, të planifikuar për 20 mars. /Telegrafi/