Danimarka mbështet Kosovën në proceset integruese
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Villy Sovndal, ka marrë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë daneze për Kosovën, me theks të veçantë në fushën e integrimeve euroatlantike. Shefi i diplomacisë daneze ka thënë se shteti i tij dëshiron ta shohë Republikën e Kosovës anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të ndihmojë Kosovën në përmbushjen e kritereve.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj, ka falënderuar homologun Sovndal për mbështetjen e Danimarkës në proceset shtetndërtuese, në fushën e zhvillimit ekonomik, agrikulturës, në fushën arsimit, energjetikes, sigurisë dhe sfera të tjera.
Ai ka njoftuar ministrin danez për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se tashmë agjenda kryesore e Kosovës është avancimi i proceseve integruese.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes daneze për rrugën evropiane të Kosovës, duke filluar nga heqja e vizave për qytetarët e Kosovës deri te marrëveshja e asocim-stabilizimit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Danimarkës, Villy Sovndal, ka deklaruar se Kosova ka perspektivë të qartë Evropiane.
Ai ka theksuar faktin se Danimarka ka qenë ndër shtete e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke uruar për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
“Ne dëshirojmë të shohim Republikën e Kosovës si anëtare të plotë të Bashkimit Evropian. Ne do të ndihmojmë Kosovën në përmbushjen e kritereve si dhe në fusha tjera”, ka deklaruar Sovndal.
Gjatë takimit, Hoxhaj po ashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve, duke kërkuar ndihmën e Danimarkës në fushën e bujqësisë dhe arsimit.
Hoxhaj, po ashtu e vlerësoi shumë të rëndësishme për Kosovën ndihmën e Danimarkës në fushën e sigurisë, e sidomos në rritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe proceset e mëtutjeshme të bashkëpunimit me NATO-n.
Dy ministrat janë dakorduar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshjeve bilaterale në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në fuqizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. /Telegrafi/