Decentralizimi dogji kartën e autonomisë territoriale!

16:39 / 7.05.2013

Procesi i decentralizimit mundësoi enklavizmin e Kosovës, ndërsa Asociacioni Komunave Serbe të Kosovës po i përmbledh këto enklava në një bashkësi që po lëviz drejt statusit të një njësie autonome. Ky është qëndrimi kritik i shfaqur kryesisht nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, i artikuluar pas marrëveshjes për krijimin e Asociacionit.

Por, njohës të zhvillimeve të pushtetit lokal theksojnë se decentralizimi u hoqi mundësinë serbëve që të kërkojnë autonomi territoriale, ndërsa vlerësojnë se institucionet e Kosovës duhet të jenë syçelë për të mos lejuar kompetencat e nivelit qendror tek Asociacioni i komunave serbe.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë për Telegrafin se procesi i decentralizimit duhet parë ndarazi në raport me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Asociacioni mundëson që veçanërisht në Mitrovicë dhe në Graçanicë të kenë përgjegjësi më të shtuara, në veçanti në fushën e arsimit të lartë dhe të shërbimit shëndetësor sekondar. Kjo do të thotë që Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë të kenë rol të avancuar në komunikim. Raporti ndërmjet nivelit komunal dhe atij qendror duhet të jetë i qartë”, ka thënë Tahiri, i cili është anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Ai ka shpjeguar se institucionet e Kosovës duhet të jenë syçelë për t’u siguruar që të ketë një mbikëqyrje shumë të avancuar nga niveli qendror, që shërbimet ekzekutive të mbesin në nivel të Komunës, ndërsa Asociacioni të ketë vetëm rol për të avokuar për të drejtat e komunave, por jo përgjegjësi ekzekutive.

Tahiri ka vlerësuar se krijimi i asociacioneve është hap drejt avancimit të mundësive të komunave me shumicë serbe për të promovuar atë që ata duan të promovojnë.

“Por, këtu nuk ka nivel të dytë, rajonal apo autonom. E në anën tjetër vetëqeverisja lokale është e përcaktuar qartë edhe në Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë Tahiri.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Qeverisje Lokale nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, nuk pajtohet që decentralizimi ka krijuar parakushte për asociacionin e komunave serbe. Përkundrazi, ky proces ua ka djegë serbëve argumentin se nuk po mund të krijojë jetë normale dhe për të qenë të barabartë në Kosovë, duke hequr argumentin për të krijuar një autonomi territoriale.

“Liderët ilegalë të komunave me këtë Asociacion do të mundohen që të krijojnë një mekanizëm që i reziston Prishtinës. Ndërsa, komunat Graçanicë, Shtërpcë, Ranilluk, Kllokot e Partesh nuk e kanë atë ambicie. Këto komuna mund t’i bashkohen Asociacionit të Komunave Serbe në veri, por zhvillimet do të jenë pozitive nëse respektohen ligjet e Kosovës, nëse nuk do të ketë terror, nëse nuk do të hidhen bomba njerëzve që mendojnë ndryshe”, ka thënë Ferati për Telegrafin.

Ai ka thënë se liderët e komunave në qendër të Kosovës do ta mbrojnë interesin e komunës së vet dhe do të harrojnë se çka është organizimi regjional, i cili është më tepër një fiksion e jo diçka që është në interes konkret të qytetarëve.

“Me kohë do të vijë aty ku e ka qëllimin, një organizim i vullnetshëm për bashkëpunim të komunave për qëllim të përbashkët për interesin qe qytetarëve”, ka thënë Ferati, i cili ka qenë ministër i Pushtetit Lokal.

Ai ka theksuar se tash për tash tendenca e Beogradit dhe e serbëve ka qenë që të lënë përshtypje se Asociacioni po e definon nivelin e një regjioni apo lidhje të komunave. Sipas Feratit, Asociacioni tash për tash është në nivelin e bashkëpunimit, me përjashtim të rastit të zgjedhjes së komandantit të policisë, i cili është definuar si komandant regjional i policisë, ndërkohë që ligji aktual parasheh që komunat të kenë kompetenca për komandantin lokal të policisë.

Duke komentuar procesin e mëhershëm të decentralizimit, Ferati ka thënë se vërejtja më e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje edhe të tjerëve ka qenë krijimi i komunave të reja.

“Në realitet kjo nuk po i krijon pasoja Kosovës, sepse Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku kanë qenë komuna edhe para Ahtisarit. Po shihet që problemi është etnik e jo institucional. Kjo sepse ajo pjesë kufizohet me Serbinë dhe deri tash ka funksionuar në këtë sistem. Jam i bindur se kur të mos ketë më mbështetje nga Beogradi, serbët lokalë do t’i kthehen interesit të jetës”, ka theksuar Ferati.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë për Telegrafin se decentralizimi promovonte kinse integrimin e serbëve, e në fakt krijoi komuna etnike serbe me kompetenca të zgjeruara.

“Serbia, edhe pse nuk e pranoi Planin e Ahtisaarit për komunat në veri, e shfrytëzoi atë për fshatrat në pjesët tjera të Kosovës të cilat përfituan duke u bërë komuna. Meqë fillimisht Pakoja e Ahtisaarit e rriti autonominë e komunave me kompetenca shumë të zgjeruara, tani delegimi i këtyre kompetencave në një strukturë të re të asociacionit - bashkësisë së komunave - i vë themelet e autonomisë së serbëve në Kosovë, duke vendosur konturat e strukturës hierarkike”, ka thënë Dërguti . /Agim Fazliu/ Telegrafi/

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.