Demaçi, Haradinajt: Jep ide nëse ke aftësi

14:55 / 19.01.2013

Nuk e fsheh aspak zemërimin se punët e Kosovës nuk po shkojnë ashtu siç do ta dëshironte. Preferon të flasë pa doreza e të thotë atë të cilën dikujt i pëlqen e dikujt jo. E megjithatë, e ka bindjen se nëse do të dihet të punohet, shqiptarët do ta kthejnë në anën e tyre historinë.

“Humbja më e madhe për shqiptarët ka qenë marrëveshja për projektin e Ahtisaarit. Ai projekt faktikisht u ka dhënë serbëve të drejta shumë të gjera. Nuk ka vend që një pakice, pakicë fort e vogël kur mbërrin puna tek 7-8 për qind, t\'i jepet e drejta të barazohet gjuha e tyre me gjuhën e shtetit. U jepet mundësi që prej 15 deputetëve që do t’i kishin, nëse 10 do ta refuzojnë një ligj apo vendim të Kuvendit, atë ligj e ndalin e nuk kthehet më. Nuk e di që të ketë diku në botë të tilla të drejta. Ata kanë të drejta të kenë komuna edhe me njëmijë vetë. Ku ka komuna në Evropën e sotme me njëmijë vetë? Evropa shkon e integrohet, këta bëjnë mure mes serbëve dhe shqiptarëve brenda Kosovës”, thotë Demaçi në një intervistë për Lajmifundit.

“Po detyrohemi të bisedojmë për tokën tonë, për 1/4 e territorit të Kosovës. Kjo është ajo plaga më e madhe e më e rëndë që po e mban të lidhur Kosovën për probleme politike dhe nuk po ka kohë me u orientua për problemet ekonomike që kanë qenë katastrofë. Po bëhen vite që Kosova eksporton vetëm 5 për qind dhe importon 95 për qind. Cila ekonomi në botë mund të jetojë me këtë nivel eksportesh? Nuk ka asnjë ekonomi. Buxheti i Kosovës po mbushet nga TVSH-ja, nga të ardhurat e doganave, por Kosova është territor i hapur për të gjithë. Këtu vijnë mallrat e kontrolluara e të pakontrolluara e na i shesin. Nuk dimë çfarë hamë e çfarë nuk hamë. Nuk po ka kohë kush të merret me këto probleme të vërteta. Hyjmë edhe në periudhën kur edhe Evropa ka rënë në krizë. Kishte mundësinë të na ndihmonte por nuk na ndihmoi. Na la pa ushtri... Është e lejueshme të na spiunojnë ata që nuk na njohin ne dhe ne nuk kemi mundësi t’i dëbojmë e tu themi se këta mund të vijnë e këta nuk mund të vijnë. Me fjalë të tjera, e kanë vënë popullin shqiptar në një situatë të vështirë. Ne, gjenerata ime dhe një gjeneratë e më vonë jemi mësuar të durojmë, por kjo gjenerata e re nuk duron. Këta nuk po e mendojnë se mund të shpërthejnë edhe lëvizje sociale, politike. Nuk dimë me kë të orientohemi e çfarë të bëjmë. Ndaj, Evropa po luan një lojë shumë të gabuar”, thekson Demaçi.

Sipas tij, Evropa e ka toleruar dhe po e tolerojnë hajninë e Serbisë që na ka marrë dokumentet e regjistrat; kriminelit dhe mafiozit duhet t\'i thuash kriminel dhe mafioz; ndërsa për luftëra Serbia duhet të paguajë.

“Në këto rrethana, të detyrosh shqiptarët të shkojnë në bisedime pa na pranuar ata dhe të bisedohet me atë që deklaron se kurrë nuk do ta pranojë Kosovën, kjo është një dhunim ndaj demokracisë. Ky është një dhunim ndaj një populli të vogël që me gjak e sakrifica të papara bëri një luftë të pabarabartë dhe solli punën deri këtu. Ne i falënderojmë amerikanët dhe disa shtete kryesore të Evropës, por atë luftë që e bëmë ne bashkë me ata, këta në tavolinë po e humbin. Këta po e bëjnë situatën që të mbetet një plagë kanceroze në tokën e Kosovës, dhe të na dalë prapë një republika Serbska siç doli në Bosnje e të mos bëhet rehat as kroati, as serbi, as boshnjaku.
Çfarë zgjidhje politike është kjo kur nuk merren vesh tre vetë e që drejtohen gjoja nga tre palë? Duan me zor t\'i bëjnë ta duan njëri-tjetrin. Nuk ka dashuri me zor, ajo është dhunë pastaj. Ata duhet të bëjnë zgjidhje që ata popuj të jenë të lirë të vendosin vet për fatin e tyre. Vet afria i çon aty kah bashkëpunimi dhe zgjidhja e problemeve. Edhe Evropa nuk bëri ndryshe: francezët e pavarur, gjermanët e pavarur, por sot bashkëpunojnë. Dua tu them se ne duam që të jemi anëtarë të bashkësisë evropiane, ne e duam Evropën mirëpo ajo s’e ka çarë kokën për ne”.

Sipas Demaçit, në rast të shkatërrimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, “mund të pritet gjithçka”.

“Aty konflikti është i paevitueshëm. Nuk kanë ku të shkojnë shqiptarët pasi duhet të mbështeten për atë mur. Serbia i ka mbështet për mur ata. Zhvillim tek ata nuk ka dhe kurrfarë të drejte ata nuk kanë. Formale janë këto që i lejojnë të kenë komuna e një lloj pushteti. Vetëm që ata të mashtrohen duke luftuar për një pushtet i cili nuk ekziston fare e që nuk është kurrfarë pushteti; vetëm për t\'i përçarë ashtu sikurse kanë arritur t’i përçajnë. Çfarë ju duhen shqiptarëve tonë në Maqedoni 7-8 parti? Çfarë ju duhen shqiptarëve tonë në Mal të Zi 5-6 parti? Çfarë ju duhen edhe atyre 5-6 parti? Një popull i vogël që lufton për ekzistencën e vet aty. Kjo bëhet vetëm duke shfrytëzuar disa të shkretë e të mjerë që nuk e kanë interesin kombëtar si pikë kryesore dhe orientim por interesat e veta”.

Në lidhje me ecurinë e koalicionit qeverisës dhe a ai duket e drejtë ambicia e shpallur e Ramush Haradinajt për tu ulur në karrigen e kryeministrit, Demaçi thotë: “Haradinaj është një hero i luftës sonë, një burrë trim. Kam qenë në atë zonë ku ka luftuar dhe gjithmonë e kam gjetur në vijën e frontit. Asnjëherë nuk është larguar nga Kosova edhe kur ka mbetur me katër-pesë ushtarë. Prapë e ka vazhduar luftën. Në fushën e luftës dhe qëndresës çlirimtare u bë punë e mirë dhe demokratike që ato akuza të falsifikuara e të shpifura të Serbisë u hodhën poshtë dhe ai u kthye në dheun e vet.
Mirëpo, disa gjëra janë të paqarta këtu. Unë e dua fort sepse është hero dhe ka bërë punë të madhe për kombin e vet, por këtu është krijuar një farë shteti... Unë e admiroj gjakftohtësinë e tij, aftësinë që të formulojë esencën e problemeve. Por, nuk besoj se një njeri mund të bëjë diçka në këto rrethanat ku jemi. Domethënë i kam thënë hapur se mirë o zotëri por nëse mendon se mund t’i ndihmosh Kosovës mund të bëhesh zëvendës. Jep ide nëse ke aftësi. Nuk kam asgjë kundër që të bëhesh edhe kryeministër”, thotë ndër të tjera Demaçi. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.