Demaçi: Krejt po turren për pushtet

13:17 / 14.12.2012

Veprimtari Adem Demaçi e ka kritikuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka shfaqur ambicie të bëhet Kryeministër. Ai ka thënë se Haradinaj duhet të pret zgjedhjet ose të bëhet zëvendëskryeministër, pasi këtë pozitë aktualisht e ka Hashim Thaçi.

“Ramushi më pëlqeu disa ditë, por një ditë tha dua të bëhem Kryeministër. S’më pëlqeu. Nuk më pëlqeu sepse janë votimet, janë rrugët tjera, janë marrëveshjet, është një Zëvendëskryeministër. Besoj se nuk do të ishte problem. Por të bëhesh Kryeministër, ku ta çojmë z. Hashim, ku ta çojmë”, ka thënë Demaçi, në fjalimin për nder të ish-komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi.

“Neve na ka kapur njëfarë flake e madhe për pushtet, edhe po i harrojmë disa sende, disa rende. Ne po mundohemi ta krijojmë një shtet modern, një shtet evropian, një shtet me rregulla”, ka shtuar ai, transmeton “Express”.

Demaçi është marrë edhe me Atifete Jahjagën. E ka mbrojtur sa i përket largimit të saj nga Presidenca, ndërsa e ka kritikuar fortë për nderin që ia kishte bërë Ahmet Zogut në Shqipëri.

“Rasti i kësaj zonjës tonë Presidente. Vetë u morën vesh: A po e bëjmë, po e bëjmë. Kur e bën, tash ta heqin. Por, s’është kjo lojë njëherë emëro, njëherë hiq. Edhe këto sende duhet t’i qesim anash”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Presidentja është dashur ta dijë se Zogu ka ardhur në pushtet me ndihmën e serbëve dhe rusëve, ndërsa ka ikur në kohën më të keqe dhe i ka lënë shqiptarët nën mëshirën e fashistëve italianë.

“Nuk pajtohem me zonjën Presidente që shkoj atje në Shqipëri dhe morri pjesë me Kryeministrin e Shqipërisë për ta rehabilituar Ahmet Zogun. Nuk pajtohem me këtë punë, nuk është punë e mirë”, ka thënë ai. “Ne jemi popull që me gjak e kemi shkruar historinë”, ka thënë ai.

Ai ka kundërshtuar edhe kërkesat e turqve për të ndryshuar historinë, duke thënë se askush nuk duhet të ndërroj asnjë pikë të historisë në raport me Perandorinë Osmane. “Atyre u pengon edhe Skënderbeu këtu, edhe Skënderbeu në Tiranë”, ka thënë ai.

Demaçi ka kërkuar të depolitizohet shteti nga klasa aktuale, ndërsa nga deputetët ka kërkuar të mos imitojnë shembujt e këqijtë të rajonit dhe botës.

“Nëse dëshirojmë të grinden dhe shahen ka kafene sa të duash, ka livadhe e Gërmia, por kur të hyjnë në Kuvend le të dalin si burra shembullor se rinia jonë duhet të edukohet nga dikush”, ka thënë ai.

Pas fjalimit të Demaçit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk iu hidhërohet kritikave të tij. “Jeni heroi i gjallë i kombit tonë. Prandaj respekt. Po bëjmë gjithçka që të bëjmë punë të mira, por do të përpiqemi që të bëjmë edhe punë më të mira, baca Adem”, është përgjigjur Thaçi. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.