Demaku: Nuk merrem me deklaratat e Florinit për SHIK-un
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Fadil Demaku e ka kundërshtuar ashpër pretendimin e kryetarit të këtij Komisioni, Florin Krasniqi, i cili ka deklaruar se PDK-ja nëpërmjet SHIK-ut dëshiron t’i fusë duart edhe në AKI duke dërguar në Komision dy ish-drejtues të organizatës, Fadil Demakun dhe Bekim Haxhiun. Në një prononcim për Telegrafin, Demaku e ka quajtur të padenjë të komentojë ato që i thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi.
“Në radhë të parë, për të komentuar diçka që thotë Florin Krasniqi, i fyej edhe qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh nivelin e tij moral, qytetar dhe njerëzor. Unë nuk jam ai që vendosi përse ai është në krye të Komisionit. Janë gjëra tjera që e kanë sjell aty”, ka thënë Demaku.
Në anën tjetër, në një intervistë për gazetën “Tribuna”, Florin Krasniqi ka deklaruar se nuk ka hequr dorë nga iniciativa e tij për krijimin e një komisioni parlamentar hetimor për veprimtarinë e SHIK-ut, megjithëse has në vështirësi për të marrë mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Ndërkohë, duke e komentuar këtë nismë të Krasniqit, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku thekson se asnjë iniciativë që e ndërmerr Krasniqi nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës.
“Këtë e them duke e njohur atë prej momentit të shfaqjes së tij në publik, në mënyrën dhe gjuhën me të cilën është shfaqur dhe me nivelin me të cilin ka prezantuar para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Demaku. /Telegrafi/