Dëmshpërblim për Kastratët

14:30 / 24.02.2013

Gjykata Themelore në Pejë ka obliguar Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që ta dëmshpërblejë familjen Kastrati nga Peja me 80 mijë euro, për shkak të vrasjes së familjarit të tyre Besnik Kastrati. Vrasja me motive hakmarrjeje ishte kryer nga polici Albert Markaj në Stacionin e Policisë 7 vjet më parë.

E pati vrarë në mes të zyrës, ditën kur e kishin ftuar për ta marrë në pyetje. Kanë kaluar plot shtatë vite qysh kur Albert Markaj, oficer i njësitit ROSU, vrau të arrestuarin Besnik Kastrati për motive të hakmarrjes. Kjo tragjedi që ndodhi në stacionin e policisë në qytetin e Pejës pati shokuar familjen e viktimës. Por, dalë ngadalë gjërat po vijnë në vendin e vet. Tash kur kaluan plot shtatë vite nga kjo vrasje, familja Kastrati nga qyteti i Pejës nxori hakun e saj. Gruaja, fëmijët, nëna dhe disa anëtarë tjerë të familjes vendosën që ta padisin Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, më saktësisht Policinë Regjionale të Pejës me para. Dhe ia dolën.

Për shkak të dhimbjes shpirtërore që zyrtari i saj i shkaktoi vite më parë familjes të së ndjerit Besnik Kastrati, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës detyrohet që të paguajë plot 80 mijë euro. Ky është vendimi që mori Gjykata Themelore në Pejë disa muaj pasi familja e të ndjerit vendosi të ngre padi kundër MPB-së dhe Policisë Regjionale të Pejës. Në emër të dhimbjeve që u shkaktoi tragjedia, kjo gjykatë vendosi në të mirë të familjes.

Kështu Ajshe Kastrati, gruaja e të ndjerit Besnikut, të cilin e privoi nga jeta polici Albert Markaj, do t’i marrë nga MPB plot 80 mijë euro. Shumë të njëjtë e njëjta ministri i ka borxh edhe pesë fëmijëve, të cilët ditën tragjike mbetën pa baba.

“Kastriotit, Korabit, Fluturës, Fjollës dhe Fionës secilit veç e veç nga 8 mijë euro. Në total të gjithëve plot 40 mijë euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë. E njëjta shumë, sipas të njëjtit vendim, do t’i jepet edhe nënës, babait dhe vëllezërve e motrave të viktimës.

E për të marrë këtë vendim, gjyqtarit Fatmir Baloku iu deshën vetëm disa arsye të thjeshta.

Ai vërtetoi se përveç krimit që polici Albert Markaj kreu në janar të vitit 2006, nga vdekja e Besnik Kastratit familja ka pësuar dhimbje tejet të thellë shpirtërore dhe kanë humbur njeriun i cili i mbante me para.

“Gjykata ka gjetur se paditësve, në këtë rast familjes Kastrati nga Peja me vdekjen e anëtarit të tyre iu është shkaktuar dhimbja shpirtërore në shkallë të lartë, kjo edhe për faktin se paditësit kanë humbur personin i cili i ushqente dhe e mbante familjen me të holla. Prandaj edhe padia e tyre është aprovuar pjesërisht”, thuhet në vendim.

Gjykata dha arsyet e saj edhe pse e paditi Ministrinë e jo vet personin që kreu vrasjen. Sipas Gjykatës Themelore, MPB është e obliguar të paguajë shumën për shkak se ditën kur ndodhi vrasja, Markaj ishte në uniformën zyrtare dhe vrasja u krye në lokalet e ministrisë. “Përveç kësaj ditën kur ndodhi vrasje në objekt nuk kishte siguri fizike ndaj viktimës”.

Ndryshe kjo ngjarje që e tronditi familjen Kadtrati ka ndodhur në janar të vitit 2006. Gjithçka nisi pas në vrasje që i kishte ndodhur Albert Markaj, i cili humbi vëllain e tij. Për këtë vrasje u arrestua tashmë i ndjeri Besnik Kastrati, i cili po mbahej në burgun e Pejës deri ditën kur u shoqërua në stacionin e policisë për të dhënë dëshminë e tij. Aty nisi gjithçka. Alberti, pjesëtari i njësitit ROSU në shenjë hakmarrjeje për të vëllain nxori alltinë dhe shtiu në Besnikun plot katër herë.

Vrasja ndodhi në stacionin e policisë aty ku Besniku kishte shkuar për të dhënë gjurmët e gishtërinjve te tij. U vërtetua se vrasja u shkaktua me dashja prandaj në tetor plot tetë muaj pas vrasjes, Markaj u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me 10 vjet burg. Megjithëse ai kurrë nuk i mbajti këtë dënim. Markaj u lirua pas një kohe. Madje vitin që lamë pas kur i njëjti kreu vrasjen e qytetarit Besnik Kastrati Albert Markaj, është kthyer sërish në pozitën që kishte në atë kohë, polic i Njësisë speciale operative ROSU.

Megjithëse hakmarrja mes familjes Kastrati dhe asaj Markaj u shua vetëm dy muaj pasi ndodhi vrasja e Besnikut. Në mars të po të njëjtit vit kur ndodhi tragjedia, familja e viktimës vendosi tija fal gjakun e djalit. Me iniciativën e Lëvizjes për Pajtimin e gjaqeve dhe në prezencën e shumë qytetareve u shtri dora e pajtimit në mes këtyre dy familjeve. Kjo njëherit ishte pajtimi i parë publik në Kosovën e pasluftës. Sidoqoftë, kjo nuk ishte vrasja e vetme që një i akuzuar vritet në duart e policisë pejane.

Vetëm disa muaj më vonë diçka e ngjashme u ripërsërit. Et'hem Rexhaj, u vra në sytë e policisë nga kushëriri i tij Gani Rexhaj, derisa po kthehej në paraburgim në burgun e Pejës. Vrasja ndodhi para stacionit policor, derisa Ganiu po hipte në makinën e policisë. Edhe kjo vrasje sikurse ajo e Besnik Kastratit ndodhi për motive të hakmarrjes. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.