Dënimet alternative më të dobishme për shoqërinë
Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, i tha se organet e sistemit të drejtësisë duhet të orientohen drejt aplikimit të alternativave të dënimit me burg, duke e konsideruar dënimin alternativ si dënim të suksesshëm në riedukimin dhe riintegrimin e individit.Ai këto komente i bëri në tryezën me temë “Rëndësia dhe mundësitë e shqiptimit të dënimeve alternative për persona madhor në krahasim me dënimet me burgim”.
“Dënimi me burgim nuk kontribuon çdo herë në zvogëlimin e kriminalitetit. Dënimi me burg shpesh ka edhe efekte negative, sidomos tek të miturit dhe personat që kryejnë vepra të lehta penale dhe që bien për herë të parë në kundërshtim me ligjin”, tha Xhemajli.
Ai tha se Shërbimi Sprovues i Kosovës ka për qëllim të kontribuoj në krijimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, në parandalimin e kriminalitetit dhe zvogëlimin e numrit të përsëritësve të veprave penale.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Virgjina Dumnica, pasi vlerësoi punën që po bënë SHSK-ja, foli për projektet me të cilat UNDP ka mbështet dhe do ta mbështesë SHSK-në.
Në këtë tryezë të pranishëm ishin edhe gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë nga fusha me të cilët SHSK-ja bashkëpunon gjatë ekzekutimit të dënimeve alternative, të cilët thanë që mundësia e shqiptimit të dënimeve alternative për persona madhorë, në krahasim me dënimet me burgim, do të jetë më e dobishme për shoqërinë kosovare në përgjithësi. /Telegrafi/