Deshishku: Tolaj më tha: “Sa të jam unë këtu, kurrë s’ke me marrë tender”

19:48 / 13.02.2013

Gjatë seancës së sotme në procesin gjyqësor i njohur si “Rasti Tolaj”, me propozimin e prokurorit është paraqitur para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit, Bekim Deshishku, i cili njëherësh është edhe palë e dëmtuar në këtë proces nga kompania “Jona Med”. Ai ka deklaruar para trupit gjykues se si ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi dhe ish-sekretari i Përhershëm në këtë Ministri, Ilir Tolaj, e kanë dëmtuar kompaninë e tij financiarisht dhe moralisht.

Mbrojtja dëshminë e Deshishkut e ka cilësuar si favorizuese për ta, duke thënë se me to është zbehur aktakuza që rëndon mbi të mbrojturit e tyre, përderisa mbrojtja e Deshishkut pohon të kundërtën, duke thënë se dëshmia e Deshishkut vetëm se e ka forcuar aktakuzën dhe pretendimet e prokurorit.

Përfaqësuesi i kompanisë farmaceutike “Jona Med”, si palë e dëmtuar në këtë proces gjyqësor, Bekim Deshishku, ka folur për kontratën e parë që është nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë në vlerë rreth 3.8 milionë euro, për të cilën kontratë ka thënë se “është nënshkruar nga Tolaj dhe kemi menduar se MSh-ja nuk i ka përmbushur obligimet e kontratës dhe për atë edhe e kemi paditur Ministrinë”.

Sipas tij, në kontratën që “Jona Med” e ka pasur me MSh-në, ka munguar ‘liferimi’ (planifikimi vjetor i furnizimit) nga kjo Ministri, e cila, sipas tij, ia ka vështirësuar në masë shumë të madhe kompanisë farmaceutike “Jona Med” përmbushjen e obligimeve të kontratës për furnizim sipas kërkesave të kontratës.

“Edhe pse MSh-ja kishte kontratë me ‘Jona Med’, pas skadimit të kontratës në vitin 2007, MSh-ja kishte lidhur kontrata emergjente me kompani të tjera, të cilat kanë ardhur te ne dhe kanë blerë material për t’ia shitur MSh-së’, ka deklaruar gjatë seancës Deshishku.

Ai ka thënë se mosrealizimi i kontratës i ka shkaktuar dëm “Jona Med”-it në shumën prej 600 mijë euro barna, të cilat, sipas tij, tashmë janë me afat të skaduar dhe po qëndrojnë në depot e kësaj kompanie.

Lidhur me këtë, ai ka deklaruar se janë shpallur dy herë tenderë me nga 100 mijë euro dhe dy operatorët që janë shpallur fitues janë furnizuar nga “Jona Med”.

Më tej ai ka thënë se “pas kësaj ne e kemi paditur Ministrinë e Shëndetësisë në Gjykatën Ekonomike, ku gjykata ka vendosur në favor tonin, duke na i kthyer 1.4 milionët e humbura”.

Në lidhje me këto probleme, Deshishku ka rrëfyer edhe një rast kur është thirrur të telefon nga Ekrem Maliqi dhe i cili i ka thënë se Arbenita Pajaziti, asokohe zyrtare në MSh dhe aktualisht e pandehur në këtë rast gjyqësor, po i kërkon një takim pikërisht në këtë Ministri.

“Ekrem Maliqi më ka thirrur në telefon dhe me ka thënë se Arbenita Pajaziti po don mu taku me juve. Unë i kam thënë se pse duhet me ardh unë, kur Faton Çitaku (Drejtor Ekzekutiv i ‘Jona Med’), është përgjegjës për këtë punë. Ai më tha se e dinë këtë punë, por t’i duhet me ardh”, ka deklaruar Deshishku.

Sipas tij, në atë takim ishte Ekrem Maliqi, Lutfi Mulaku dhe Arbenita Pajaziti.

“Ata më kërkuan ta tërheq padinë ndaj Ministrisë dhe do të mundohemi t’ua kompensojmë dëmin me tenderët e ardhshëm. Arbenita Pajaziti më tha se tash ka dalë një tender emergjent 70 mijë euro për material shpenzues, në janar është tenderi për citostatik. Përgjigjja ime ishte se m’i jepni me shkrim, unë i pranoj ato. Por nuk mi dhanë. Arbenita Pajaziti ka dalë nga zyra dhe për 4-5 minuta ka ardhur me Tolajn. Tolaj ka ardhur dhe u ulë në karrige, Lutfi Mulaku erdhi dhe për një moment tha se jemi duke e lutur ta tërheq padinë. Tolaj tha se nuk kemi nevojë me e lutë askënd, duke mu drejtuar mua dhe duke me thënë se ‘shiko bre djalë, ma para ka me mbet Serbia nën Kosovë, sesa që ki me marrë tender; sa të jam unë këtu, kurrë s’ki me marrë tender”, ka rrëfyer Deshishku para trupit gjykues.

Ai ka vazhduar së rrëfyeri, duke treguar për një rast tjetër kur Luan Sabedinaj, e ka thirrur në telefon dhe i ka kërkuar takim.

“Luan Sabedinaj më ka thirru në telefon dhe më ka kërkuar takim. Unë pranova për takim, pasi që e njihja edhe më herët. Jemi takuar në Bregun e Diellit, në kafiterinë ‘Davidoff’. Gjatë bisedës më ka thënë ‘a donë me ba pare?’. Unë i thash ‘po’, se për qata edhe po punojmë. Ai më ka kërkuar që të mos bëj problem dhe 10 përqindëshin e tenderit që pritej të shpallej citostatik në vlerë prej 1 milion euro...”, ka thënë Deshishku.

Ai ka folur edhe për tenderin për penj të qepjes.

Deshishku më tej ka deklaruar se “pas ardhjes së Bukoshit dhe Tolajt në MSh në 2010 filloi të vështirësohet shumë puna”.

“Bukoshi dhe Tolaj kanë trilluar se paracetamoli është i kontrabanduar dhe pa origjinë, për derisa ne e kemi të gjithë dokumentacionin në rregull”, ka vazhduar më tej Deshishku me dëshminë e tij.

Rrëfimi i tij ka vazhduar me atë se si kompania farmaceutike “Jona Med” ka pasur shumë vizita nga inspektorati e MSh-së.

“Në 2010, pas ardhjes së Bukoshit në MSh dhe Tolajt si Sekretar Permanent, kemi pasur shumë kontrolle, brenda një jave 2-3 herë. Ajo ka qenë koha më e vështirë”, ka thënë ai.

Deklarimet e Deshishkut, mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshit, i ka quajtur si dëshmi në favor të tyre.

Avokati i Bukoshit, Besnik Berisha, ka thënë pas seancës se dëshmia e Bekim Deshishkut i ka shërbyer mbrojtjes, dhe në këtë mënyrë e ka zbehur aktakuzën që rëndon mbi Bukoshin.

“E patëm rastin për ta marrë në pyetje zotëri Deshishkun, i cili në përgjithësi konfirmoi pretendimet tona se zotëri Bukoshi asnjëherë nuk ka pasur ndonjë motiv për ta dëmtuar atë apo kompaninë e tij, konfirmoi se nuk ka pasur asnjë telashe personale dhe as zyrtare. Konfirmoi po ashtu se padia e ushtruar në emër të Ministrisë dhe nuk ishte paraqitur familja Deshishku, por ishte paraqitur kompania ‘Jona Med’. Pra ishte çështje biznesi dhe dyshimet e paraqitura në Prokurori, po ashtu konfirmoi edhe një korrespondencë që nuk ishte zotëri Tolaj ai që kishte kërkuar që të ndëshkohet kompania ‘Jona Med’, por ishte kryeshefi, përkatësisht, krye inspektori i Ministrisë së Shëndetësisë, Haki Ejupi. Në përgjithësi ishte një seancë e cila në masë të madhe para trupit gjykues zbehu peshën e aktakuzës, në veçanti zbehu akuzat ndaj zotëri Bukoshit”, ka thënë ai.

Por, ndryshe mendon mbrojtja e kompanisë farmaceutike “Jona Med”.

Avokati i saj mbrojtës, Arianit Koci, ka deklaruar pas seancës se dëshmia e Deshishkut vetëm sa e ka forcuar aktakuzën ndaj Bukoshit.

Pasi e përfundoi dëshminë e tij, përfaqësuesi i kompanisë “Jona Med”, Bekim Deshishku, radha u erdhi avokatëve mbrojtës për ta sfiduar dëshmitarin me pyetjet e tyre.

Përgjigjja e Deshishkut në një pjesë të madhe të pyetjeve të avokatëve mbrojtës ishte: “nuk më kujtohet”.

Gjatë kësaj seance mbeti duke e sfiduar dëshmitarin mbrojtja e Tolajt, e cila do të vazhdojë nesër prej orës 9:30 në Kino ABC në një sallë të improvizuar./Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.