Dialogu mund ta bëjë autonom veriun
Nga një takim i mundshëm i niveleve të larta politike të Kosovës dhe të Serbisë nuk pritet arritje e ndonjë marrëveshjeje. Megjithëkëtë, nga ai pritet zotimi i palëve për t’u marrë vesh edhe për veriun, citohet të ketë thënë një burim ndërkombëtar.Ajo që mëtohet të arrihet me takimin, sipas një burimi, është që lidershipi i të dyja vendeve të shprehë vullnetin për zgjidhje problemesh dhe për normalizim raportesh.
Pastaj do të ndodhin takime të zyrtarëve në rangje më të ulëta, me qëllim dakordimi për çështjet që do të qiten në tavolinë.
Llogaritë paraprake janë që temave të karakterit teknik dhe atyre për veriun t’i shtohen edhe ato për bashkëpunim reciprok, shkruan “Koha Ditore”.
“Niveli i lartë politik do të tregonte seriozitetin dhe vullnetin e palëve për një dialog që do të prodhonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë burimi i gazetës.
“Edhe për veriun do të shprehej përkushtimi për t’u dhënë zgjidhje shumë problemeve”.
Edhe një burim qeveritar i gazetës, i cili ka folur për temat që do të diskutoheshin në dialogun e ri, ka pranuar se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet veriut. Por, ka insistuar që veriu duhet të kuptohet vetëm si një nocion gjeografik.
Një burim tjetër i gazetës, i përfshirë në dialogun teknik, ka thënë se temat që do të trajtohen për veriun mund të mos tingëllojnë “të rënda”, por rezultati i marrëveshjeve mund t’i japë definim autonom kësaj pjese, ndonëse autoritetet kosovare thonë se nuk do të ketë ndonjë status të veçantë administrativ apo juridik. /Telegrafi/