Dialogu, një kapitull i ri
Takimi në Bruksel është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, ka ekzistuar një konsensus i gjerë politik, më herët, i konsultuar dhe i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ky takim hap një kapitull të ri, një etapë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.Kryeministri Thaçi thotë se i tij, si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, ka ardhur si rezultat i takimeve të mëhershme që kemi zhvilluar me baroneshën Catherine Ashton.
“Ky takim është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për fqinjësi të mirë, po ashtu në përputhshmëri të plotë edhe me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, ka ekzistuar një konsensus i gjerë politik, më herët, i konsultuar dhe i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ky takim hap një kapitull të ri, një etapë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi”, tha kryeministri.
“Në të njëjtën kohë, takimi hap edhe një perspektivë për evropianizimin e gjithë rajonit. Ne kemi zhvilluar luftë me njëri-tjetrin. Kosova ka fituar luftën, tani duhet ta ndërtojë paqen - të zhvillohemi dhe të lëvizim drejt integrimeve në NATO dhe Bashkim Evropian.Natyrisht, se takimet e tilla nuk janë të lehta. Njeriu duhet të dalë mbi emocionet e veta, apo egot e veta, por ne jemi liderë dhe kemi përgjegjësi shtetërore që të punojmë për interesat e shtetit dhe interesat e gjeneratave të ardhshme. Pra, takimi në Bruksel mes meje dhe Dacicit është zhvilluar në një klimë korrekte dhe konstruktive”, ka thënë ai.
Duke folur lidhur me atë që është biseduar në takim, Thaçi tha se, se është diskutuar për temat që janë diskutuar për dy vjet të tëra, do të thotë vazhdimi i implementimit të marrëveshjeve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Kreu u ekzekutivit të vendit tha se takimi është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, është udhëhequr nga BE-ja, është përshëndetur dhe përkrahur fuqimisht nga SHBA-ja, nga NATO, dhe gjithë miqtë dhe partnerët tanë.
“Në të njëjtën kohë, në Kosovë është krijuar një konsensus i gjerë i spektrit politik civil, por edhe akademik, për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi”.
Duke komentuar deklaratën e baroneshës Ashton, e cila pati thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vështirë për të dyja palët, Thaçi ka thënë se “do të ketë ballafaqime të ideve dhe angazhimeve që nuk do të jenë të lehta, sepse ka qenë një konflikt njëshekullor, i përcjellë me dhunë të Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe çdo qytetar i Kosovës, por edhe unë si kryeministër i saj, para së gjithash si qytetar, kam emocionet e mia në këtë raport me shtetin e Serbisë dhe liderët e saj”.
“Mendoj që secili nga ne duhet të dalë mbi vetveten, mbi interesat e ngushta partiake dhe t’i shikojmë interesat e shtetit. Dhe, kur të respektohet në plotni rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e saj, mendoj që mund të ketë vështirësi në proces, por jam i bindur se do të fitojë fryma evropiane - e ky është vizioni ynë”.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij, meqë kishte thënë se pa zbatimin e marrëveshjeve nuk ka dialog, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve ka filluar, duhet të intensifikohet dhe të përmbyllet.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian është udhëheqës i procesit të bisedimeve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani edhe me konfirmimin për vizitën në Kosovë të sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, demonstrojnë fuqishëm mbështetjen për këtë proces. Vlerësoj se në muajin e ardhshëm mund të ketë takime të tjera, ndërsa unë do ta informoj skenën politike kosovare, institucionet kosovare për hapat e mëtejshëm, në mënyrë që të kemi një koordinim të gjerë politik, civil dhe akademik”.
Ndërsa, i pyetur se cila do të jetë platforma e këtyre bisedimeve, kryeministri Thaçi ka thënë se “ne do të diskutojmë si spektër politik, dhe gjithçka çka ne do të veprojmë në konceptin dhe platformën tonë, do të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Por, në platformë kemi punuar dhe duhet të plotësohet edhe nga të tjerët. Kosova është gati në kuptimin politik të platformës, por edhe në atë teknik”. /Telegrafi/