DSS: Plani gjerman përmbyll pavarësinë e Kosovës
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), Petar Petkovic ka deklaruar sot se plani për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rrumbullakimi i pavarësisë së Kosovës.Në një konferencë për shtyp, Petkovic ka thënë se këtë plan ua ka dorëzuar autoritetev serbe Christoph Heusgen, këshilltar i kancelares gjermane, Angela Merkel.
"Qëllimi i atij plani është mundësimi i anëtarësimi të ‘shtetit të rremë’ Kosovës në Kombet e Bashkuara, me çka në tërësi do të përmbyllej pavarësia e Kosovës ", ka thënë Petkovic, transmeton Tanjugu.
Gazeta serbe Danas ka publikuar tekstin e “versionit të marrëveshjes kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të cilin, sipas gazetës, këshilltari i kancelares gjermane ia ka dorëzuar zëvendëskryeminsitrit serb Aleksandar Vucic, gjatë vizitës së këtij të fundit në Berlin gjatë muajit shkurt të këtij viti.
Ky plan parasheh që të dy palët të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore, të mbështetura në parimin e mos përzierjes në marrëdhëniet e brendshme dhe në respektimin reciprok të integritetit territorial”.
Sipas zëdhënësit të DSS një plan i tillë është refuzuar në vitin 2007, kur atë ia kishte propozuar autoriteteve serbe anëtari i treshes negociuese për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger. /Telegrafi/