Dy të arrestuar për identitet të rrejshëm dhe mashtrim
Policia e Kosovës ka zgjeruar hetimet e rastit të falsifikimit të dokumenteve të iniciuara nga policia kufitare muajin e kaluar. Policia ka arrestuar edhe dy të dyshuar për mashtrim, gjegjësisht që përdornin identitete të rrejshme, duke shkuar kështu numri i arrestuarve të dyshuar në 27. Policia ka njoftuar se muajin e kaluar një rast i mashtrimit ishte regjistruar në stacionin policor “Jugu” të drejtorisë rajonale të Prishtinës.
Pronari i një kompanie që jep vetura me qira kishte deponuar ankesën e tij se dy të dyshuar një femër dhe një mashkull kishin marrë dy vetura me qira nga kompania e tij dhe nuk i kishin kthyer të njëjtat.
Procesi hetimor që ishte nisur fillimisht në nivelin e stacionit policor Jugu ishte ndërlidhur me rastin e mëhershëm të iniciuar nga policia kufitare të cilët edhe kanë vazhduar tutje këtë hetim.
Pas grumbullimit të provave të ndryshme policia ka siguruar urdhëresën për kontroll në shtëpinë e një të dyshuari i cili kishte falsifikuar dokumente të ndryshme.
“Gjatë realizimit të kontrollit policia ka konfiskuar prova materiale kryesisht elektronike në të cilat është gjetur se janë falsifikuar dokumente për të dyshuarën I.B (shqiptare kosovare viti i lindjes 1987) e cila është arrestuar nga policia. Gjatë procesit hetimor policia ka zbuluar se kjo e dyshuar ka përdorur edhe identitete të tjera të falsifikuara”, thuhet në kumtesë.
E njëjta kishte edhe dokumente të tjera ku njihej edhe me emra të tjerë si: Afërdita Morina, Selvije Sylqi, Hidajete Selimi, Linda Gashi.
Pas verifikimit të provave materiale të konfiskuara nga policia dhe si pjesë e vazhdimësisë së procesit hetimor policia ka arrestuar edhe të dyshuarin R.B (mashkull kosovar 1960) i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve , mashtrimit me rastin e marrjes së veturave nga një kompani private.
Më 08.08.2012 gjatë procesit hetimor policia ka kuptuar se në stacionin Policor të Deçanit e kishin ndaluar të dyshuarën “Hidajete Selimi” me dokumente Italiane e cila kishte tentuar që në Deçan të kryente një vepër mashtrimi. E dyshuara me identitet të rremë ishte e shoqëruar nga i dyshuari tjetër R.B, i cili kishte në posedim ilegal edhe një armë – revole.
Gjatë procesit hetimor policia ka zbuluar se edhe i dyshuari R.B përdorte identitete të ndryshme me qëllim të mashtrimit dhe ai njihej edhe si: Leonard Gashi, Desim Asani, Arben Selimi.
Bazuar në procesin hetimor dhe hetimet preliminare policia dyshon se të njëjtit kanë përdorur emra dhe identitete të ndryshme të falsifikuara me qëllim të mashtrimeve të ndryshme që dyshohet se kanë kryer në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por edhe jashtë saj.
Si pjesë e procedurës hetimore policia ka konfiskuar deri tani gjashtë vetura dhe janë identifikuar edhe raste tjera të kësaj natyre.
Përveç për veprat penale të mashtrimit, personat e arrestuar janë të dyshuar edhe për veprën penale vrasje në tentativë të kryer me rastin e një mashtrimi si dhe grabitje me armë të kryer me rastin e grabitjes së një veture.
Dy të arrestuarve, me vendim të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë u është vazhduar paraburgimi prej 30 ditësh.
Në vazhdimësi të procedurës hetimore, më 10.08.2012, njësia e hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë arrestuar edhe zyrtarin policor (F.N) i punësuar në Drejtorinë Rajonale Perëndim.
I njëjti dyshohet se më qëllim të përfitimit material u ka mundësuar mashtruesve të lartcekur që të hynë në Kosovë nga Shqipëria me dokumente të falsifikuara të identitetit të tyre dhe veturës pa u regjistruar në sistemin BMS të policisë kufitare.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët e Kosovës apo kompanitë e ndryshme private që nëse kanë rënë pre e mashtrimeve të tilla të lajmërohen në Njësinë e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare ose në stacionin më të afërt policor. /Telegrafi/