E presin Jakupin në Kongres
Kryetari aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të jetë i vetëm në garën për të parin e kësaj partie. Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se gara në këtë drejtim vazhdon të jetë e hapur. Kurse, deputeti aktual i PDK-së, Fatmir Limaj, edhe pse i privuar nga liria dhe pamundësia e pjesëmarrjes së tij në këtë Kongres, ai do të jenë kandidat për Kryesinë e partisë. Ndërkaq, ardhja e Kadri Veselit nga PDK-ja konsiderohet si forcë dhe energji e re.Sa i përket asaj se Thaçi vazhdon të jetë i vetmi kandidat i PDK-së për të parin e saj, këtë e ka konfirmuar sot edhe Koordinatori për zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, Basri Musmurati. Ai ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar në këtë drejtim dhe se gara ende është e hapur.
“Deri më tash ne nuk kemi ndonjë emër tjetër për kundër kandidat për kryetar të partisë përveç Thaçit. Nuk mund të garantoj nëse nuk do të ketë deri të shtunën. Deri në momentin që fillon Kongresi ne presim që ne të kemi kandidatura. Nëse nuk ka, ky do t’i hyjë procesit zgjedhor dhe Kongresi do të votojë. Kongresi është ai i cili do të vendos a do ta votojë nëse është një kandidat i vetëm me vota të hapura ose të mbyllura”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.
Lidhur me dyshimet se Sekretari i PDK-së, njëherësh Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi të mos marrë pjesë në Kongresin e VI të kësaj partie, Musmurati ka thënë se atij pa dyshim se do t’i dërgohet ftesë. Sipas tij, Krasniqi është figurë shumë e respektuar në PDK.
“Me Jakup Krasniqin, t’ju them të drejtën, është zhvilluar Partia Demokratike e Kosovës, edhe atëherë kur ne të tjerët pak kemi dashur të rrimë anash. Ky gjithmonë ka iniciuar diçka që të punohet dhe ka një falënderim të veçantë për atë që e ka bërë deri më tash. Ftesën jo që s’kam arsye, por s’kam fytyrë mos me ia dërgu”, ka thënë ai.
Ndërkaq, për deputetin dhe nënkryetarin e PDK-së, Fatmir Limaj, edhe pse ai fizikisht e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë Kongres, për shkak të privimit të tij nga liria, Kryesia e partisë ka marrë vendim që kandidatura e Limajt të jetë në këtë Kongres.
“Ne kemi qëndrim si kryesi që të kandidohet komplet kryesia, anëtarët e kryesisë deri më tash, dhe në mesin e të parëve është edhe zotëri Limaj, sepse ai është ende nënkryetar i parë i partisë, një personalitet shumë i fuqishëm i PDK-së”, ka thënë ai.
Sa i përket privimit të Limajt nga liria, Musmurati nuk la pa kritikuar edhe mënyrën e sjelljes së drejtësisë ndaj tij, kur kemi parasysh se që disa herë ai merret, akuzohet dhe më pas lirohet, edhe pse ka deklaruar se nuk e ka për qëllim që të përzihet në punët e drejtësisë.
Kur kemi parasysh se ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës i njohur si ShIK, Kadri Veseli, kohëve të fundit është bërë edhe zyrtarisht pjesë e PDK-së, këtë prurje Musmurati e ka konsideruar si forcim të kësaj partie.
“Ardhja e Kardi Veselit unë besoj se vetëm e ka forcuar PDK-në, sepse ai është një personalitet i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë vend dhe për këtë ditë që jemi sot dhe ne njerëz të tillë, jo vetëm që i pranojmë kur janë të interesuar vetë, por edhe të tjerëve u ofrojmë, nëse donë, bujrum”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i pyetur për mundësinë e kandidimit gjatë Kongresit të ministrit të FSK-së, Agim Çeku në ndonjë pozitë në këtë parti, i cili tash sapo ka aderuar në PDK, Musmurati ka thënë se kjo nuk mund të ndodh në këtë Kongres, por ka shtuar se nëse ai mendon që të jetë në strukturat e larta të PDK-së, ai duhet të kandidojë, më pas të pranohet kandidatura e tij, e pastaj t’i pres rezultatin e votave.
Musmurati e ka përjashtuar mundësinë që në Kongresin e partisë të ketë ndonjë përçarje. Ai ka pranuar se gjatë rrugëtimit të PDK-së shpesh ka pasur mosmarrëveshje në parti, por kjo, sipas tij, nuk e ka përçarë PDK-në, por e ka forcuar në rrugën drejt zhvillimit të saj.
Për më tepër, Kongresi i VI i PDK-së do të mbahet në dy pjesë. Më 26 janar, prej orës 17:30, fillon punimet Kongresi i VI i PDK-së në sallën e sporteve të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, e cila është cilësuar si seancë solemne, kurse më 27 do të mbahet pjesa e dytë e Kongresit duke filluar prej orës 9:30, në të cilën pritet të zgjidhet Kryesia e punës, Këshilli Drejtues i partisë, komisionet e ndryshme, por pritet të zgjidhet edhe kryetari i partisë.
PDK-ja në vitin e kaluar i ka filluar zgjedhjet e brendshme dhe deri më tani ka mbajtur zgjedhje në 634 seksione dhe në 777 nëndegë dhe në 37 degë.
Në të gjitha këto seksione dhe në të gjitha këto nëndegë janë zgjedhur nga një kryetar, nga një kryesi dhe nga një kuvend. Në gjithë këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë diku 67 deri 69 mijë anëtarë të PDK-së.
Deri më tash janë zgjedhur 32 kryetarë të degëve. Ne mesin e tyre nëntë janë zgjedhur drejtpërdrejt nga kuvendet e degëve, për shkakun se kanë qenë vetëm nga një kandidat i propozuar, ndërkaq të tjerët janë zgjedhur me këtë procedurën e gjatë - kuvendi, këshilli, kryesia dhe në fund kryetari.
PDK ende nuk e ka përfunduar procesin zgjedhor edhe në tri degë - Prishtina, Prizreni dhe Gjilani - ndërkaq në degën e Vitisë ende nuk është mbajtur kuvendi i partisë, për shkak se ata ende nuk kanë mundur t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e tij.
Sipas Musmuratit, zgjedhja e kryetarëve të këtyre degëve të PDK-së që kanë mbetur, pritet të përfundojë menjëherë pas përfundimit të punës së Kongresit të VI të PDK-së. /Telegrafi/