Edhe një klasë e ndarë në baza etnike

14:58 / 31.01.2013
Disa ditë pasi komuna e Gjakovës është paditur për segregacion, del se edhe një shkollë fillore në Fushë Kosovë ka ndarë fëmijët në baza etnike.

Në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë, klasa e parë e mësuesit Sejdi Reshica ka gjithsej 39 nxënës - të gjithë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Reshica, me përkatësi shqiptare, thotë se kjo ndarje është bërë që nga fillimi i vitit të ri shkollor, në shtator 2012, por se nuk ndjen asnjë përgjegjësi për këtë ndarje në baza etnike.

Ai shton se prindërit e fëmijëve shqiptarë i kishin tërhequr fëmijët nga klasa e tij.

“Unë punoj që 33 vjet si mësues. I mësoj të gjithë në klasë dhe nuk bëj dallime pa marrë parasysh se çka janë: shqiptarë apo shkali”, Reshica tha për Gazetën Jeta në Kosovë. “Mirëpo që është klasa e ndarë, unë nuk kam asnjë përgjegjësi”.

Sipas tij, nuk ka asnjë qëllim të keq pas faktit se kjo klasë është e ndarë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar drejtorin e shkollës, Sahit Dragusha. “Kjo çështje është duke u rregulluar”, tha ai. Drejtori nuk pranoi të japë më shumë detaje.

Më herët gjatë këtij muaji, më 16 janar, tetë prindër të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian kanë paditur komunën e Gjakovës për shkak të segregacionit duke krijuar një klasë të ndarë në shkollën fillore “Mustafa Bakija”.

Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI), që i përfaqëson këta prindër në gjykatë, thoshte se “kjo praktikë diskriminuese është shprehimisht e ndaluar nga legjislacioni i Kosovës si dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Sipas saj, praktika të ngjashme ishin parë por ishin evituar më pas në Ferizaj dhe në Pejë.

Drejtori i ECMI-së, Adrian Zeqiri, i tha Gazetës ‘Jeta në Kosovë’ se nuk ka dëgjuar për klasën e ndarë në Fushë Kosovë, por se organizata e tij do ta vizitojë shkollën.

Zeqiri tha se nëse ky rast nuk do të rregullohet, atëherë ECMI është e gatshme të përfaqësojë sërish prindërit dhe të marrë masa për të ngritur padi kundër komunës.

“Nëse një klasë ka vetëm këtë komunitet, atëherë ky është rast tipik i segregacionit dhe i diskriminimit”, Zeqiri.
“Selman Riza” ka gjithsej 112 nxënës të klasës së parë që vijnë nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Bekim Hajolli, prind i njërit prej fëmijëve nga klasa e ndarë, tha se kishte dëgjuar për këtë rast, mirëpo nuk kishte mundësi që të ndryshojë gjendjen.

“Unë kisha pasur dëshirë që kjo të klasë të jetë e përzier edhe me shqiptarë”, thotë Hajolli.

Ai shtoi se në këtë klasë “të gjithë duhet të mësojnë së bashku pa marrë parasysh religjionin, ngjyrën apo përkatësinë etnike të fëmijëve”. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
15:18 / 23.05.2013
Janet Jackson

Janet Jackson bëhet miliardere

Janet Jackson po feston arritjen e një jubileu impresiv, pasurinë prej mbi një miliardë dollarë në karrierën e saj muzik...
Teknologji
11:15 / 23.05.2013
LG Optimus GJ, rezistent ndaj ujit dhe pluhurit

LG Optimus GJ, rezistent ndaj ujit dhe pluhurit

LG ka shtuar edhe një model të ri të telefonit në linjën e saj të telefonave Android, përkatësisht modelin LG Optimus G...
Ekonomi
15:09 / 23.05.2013

Banka Botërore përgëzon KEK-un për punën

Një delegacion i larte i Bankës Botërore i udhëhequr nga Gino Alzetta, Drejtor Ekzekutiv qe përfaqëson Kosovën ne konsti...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.