Efekti zero i protestave
Kosovën e rëndojnë probleme të mëdha, si në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror. Për të gjitha këto çështje, në vend, deri më tani ka pasur shumë pakënaqësi të cilat janë manifestuar në forma të ndryshme. Një nga format më të shpeshta ka qenë mbajtja e protestave. Por, sa kanë treguar efekte këto organizime? Sociologë dhe psikologë nga Kosova, japin vlerësimet e tyre. Ardian Gola, profesor në Fakultetin Filozofik, në Departamentin e Sociologjisë, vlerëson se efekti i tubimeve publike nuk është i duhur. Ai madje thotë se që nga përfundimi i luftës është krijuar një hezitim i shoqërisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Sipas tij, qytetarëve iu është krijuar një lloj frike psikologjike, se pjesëmarrja në protesta rrezikon proceset politike.
“Unë konsideroj se shoqërisë kosovare po i mungojnë ata filtrat e artikulimit të revoltës qytetare, zëri kritik, vetëdija kritike. Zëri qytetar është mjaft i ngufatur në mjedisin tonë politik dhe social”, tha ai.
Sociologu tjetër, Shemsi Reçica, thotë se kërkesat e paraqitura në tubimet publike në Kosovë janë realizuar pjesërisht.
“Ajo që është pritur nga protestat as përafërsisht nuk është arritur. As pjesëmarrja e protestueseve në këto protestat nuk ka qenë aq e pritshme, kur të merren parasysh kushtet dhe rrethanat ekonomike, gjendja sociale në Kosovë, në përgjithësi. Do të thotë, pjesëmarrja në këto protesta është jashtëzakonisht simbolike, është jashtëzakonisht e vogël. Dhe, vërehet një lodhje e protestuesve për kërkesat e tyre”, shprehet Reçica, transmeton REL.
Shumica e protestave dhe demonstratave nuk arrijnë qëllimin e tyre, thotë sociologia Linda Gucia, me gjithë faktin që sipas saj, në Kosovë, problemet janë të shumta, ndërkaq tubimet publike për të shprehur pakënaqësi janë të pakta.
Ndërkaq, Flutura Gërmizaj, psikologe, thotë se situata socio-ekonomike në vend paraqitet tejet e rëndë, ndërkaq shprehja e mospajtimeve për diçka konkrete është në nivel të duhur, krahasuar më shtetet e ndryshme të Evropës.
Sidoqoftë, në bazë të ligjit për tubimet publike, rregullohet e drejta për tubime publike, e fjalës së lirë në këto tubime, protestave, manifestimeve publike, koha dhe mënyra e lajmërimit, detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve. /Telegrafi/