“Ekskursion me paratë e popullit - për qejfet tona” (Foto)
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan sot një aksion simbolik në sheshin Nëna Terezë, ku paraqitën shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për “ekskursionin” në New York. 
“Gjatë javës që kaloi, në emër të përfaqësimit të dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare, kryeministri vetë i pesëdhjeti ja mësyu New Yorkut në kohën kur do të zhvillohej sesioni i 67 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së".

"Në një prononcim të tijin rreth kritikave të bëra, Kryeministri i qejfeve tha se nuk i bëhet vonë për reagimin e opozitës dhe se kjo vizitë e tij ka qëllim madhor dhe se është një paraqitje e dinjitetshme për Kosovën”, u tha gjatë aksionit.

“Ne i themi Kryeministrit që Republika e Kosovës ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm nga njerëz të dinjitetshëm, të pakorruptuar dhe kompetent, e jo nga ministra të korruptuar dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të cilët as vetë nuk e dinin qëllimin e kësaj vizite apo më mirë të themi të këtij ekskursioni, përveçse zhvatjes së mëditjeve të majme”.

Sipas llogarive të Lëvizjes Vetëvendosje, ky ekskursion buxhetit të Republikës së Kosovës i kushtoi rreth 200 mijë euro. Këto mjete, sipas VV-së, mund të ishin shpenzuar për: 5000 ndihma sociale në Kosovë; apo 4445 pensione minimale; apo 1176 paga minimale në Kosovë; apo 222 bursa për studentë në Universitetin e Prishtinës; apo 1110 pensione për invalidë të UÇK-së.

“Kryeministri dhe qeveritarët e tjerë treguan sërish se me çfarë lehtësie mund t`i keqpërdorin mjetet e tatimpaguesve. Ata nuk kanë as drojë dhe as nuk shqetësohen për hallet dhe mjerimin që çdo ditë e më tepër po e rëndojnë popullin në Kosovë".

"Qytetarëve u bëjmë thirrje që të organizohen kundër kësaj Qeverie, motoja e të cilës është: zhvatje pensionesh, ndihmash sociale, bursa studentësh, e zhvatje ndërmarrjesh publike. Organizimi ynë i përbashkët mund t’i ndalë ata”, thuhet në komunikatën e VV-së. /Telegrafi/